Lajme

Bislimi takohet me shefin e ri të EULEX-it, flasin për vazhdim të bashkëpunimit


Besnik Bislimi dhe Giovanni Pietro Barbano

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur të martën në takim shefin e ri të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, me të cilin, sipas një komunikate të lëshuar për media, ka diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimin në mes të dy institucioneve.

“U bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin e EULEX-it, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, ndër të tjera theksoi përkushtimin e ekzekutivit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim, ruajtjen e paqes, rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin.

Gjeneralmajori i Karabinierisë së Italisë, i cili ka më shumë se 40 vite përvojë në ligj dhe rend, aktivitete të policisë dhe operacione të paqes, të hënën e 26 qershorit ka marrë zyrtarisht detyrën si shef i EULEX-it me një mandat që do të zgjasë nga 26 qershori 2023 deri më 14 qershor 2025.

EULEX-i ka filluar punën në vitin 2008 dhe mandati aktual i tij mbulon periudhën deri më 14 qershor 2025 bazuar në vendimin e Këshillit Evropian. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është mbështetja e institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore