Kosova

“Mëkati i vetëm i Nagip Krasniqit” sipas Bislimit: Ia solli KEK-ut 107 milionë euro profit, mjetet s’përfunduan në xhepat e politikanëve


Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, teksa ka raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, ka thënë se drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është arrestuar edhe pse KEK-u sipas tij ka gjeneruar 107 milionë euro fitim.

“Ne mendojmë që ka shumë korrupsion në KEK edhe jemi të informuar që diku rreth 30 raste janë deponuar në Prokurori nga menaxhmeti i KEK-ut, por nuk interes të Prokurorisë që të merret me këto raste. Por, ka interes të merren vetëm me rastin e menaxherit i cili nga një kompani që ka operuar me humbje ka sjellë në kompani 107 milionë euro profit”, tha Bislimi.

Sipas tij, “ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit” për të cilin është arrestuar.

“Ka gjeneruar 107 milionë euro dhe asnjë nga to nuk ka përfunduar në xhepat e politikanëve. Këto profite kanë shkuar në buxhet, por jo në jahte luksoze të politikanëve”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se rasti i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt është “konstrukt artificial” i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë.

“Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur kundër tij. Është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj me shpresë se mund të nxjerrët ndonjë përfitim politik. Unë kam ardhur këtu të raportojë për integrim evropian, por ju mund të vazhdoni nëse mendoni se kjo ju sjellë përfitime politike”.

Gjatë raportimit Bilsimi ka adresuar kritika ndaj opozitës se “po përhap panik për largimin e qytetarëve nga Kosova”.

“Duhet të mendojmë pozitivisht për shtetin dhe të bazohemi në informata. Në Kosovë nuk është duke ndodh asgjë ndryshe se çka po ndodh në Serbi, Kroaci, Shqipëri dhe Bullgari. Përpjekja për të përhapur panik është e dështuar dhe qëllimkeqe”.

“Banka Botërore thotë se ka rritje ekonomike, opozita flet për varfërim. Përshtypja ime është që sa më e suksesshme është Qeveria, ka këso debate për ikje të qytetarëve”, theksoi Bislimi.

Madje sipas tij, “nuk ka statistikë që në Kosovë ka krizë ekonomike, duhet të flasim me shifra”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore