Lajme

Biserko për Albanian Post: “Zgjidhja do të ishte që Serbia ta njohë Kosovën”


Sonja Biserko, Kryetarja dhe Themeluasja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

“Serbia nuk do ta njohë Kosovën derisa të marrë kompensim në anën tjetër. Kjo do të thotë përçarje në strukturën euro-atlantike të Ballkanit dhe, me shumë gjasa, një konflikt të përtërirë e që mund të ketë karakter edhe më të gjerë”.

Kështu është shprehur gjatë një interviste për Albanian Post, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Sonja Biserko, Kryetarja dhe Themeluasja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Sipas Biserko-s, përkrahësja e të Drejtave të Njeriut dhe reformave demokratike në Serbi dhe rajon, një çarje e tillë në strukturën dhe aspiratat euro-atlantike të vendeve të Ballkanit dhe një konflikt i përtërirë, siç e quan ajo, i karakterit më të gjerë, “në këtë rast s’do të kishte të bënte më vetëm me Kosovën dhe Serbinë, por edhe me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën”.

“Këtu, sigurisht, ngrihet një pyetje thelbësore mbi vlerat – nëse Evropa pajtohet që kriteri etnik duhet të jetë kriteri kryesor në zgjidhjen e konfliktit?”.

“Diçka e tillë”, shpjegon Biserko për Albanian Post, “do të nënkuptonte braktisjen e vlerave mbi të cilat Bashkimi Evropian është mbështetur deri më sot. Dakordimet e Dejtonit ishin thelbësisht të gabuara, çka duhet ndrequr”.

Zgjidhja e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë

Sa i përket çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, Biserko thotë se zgjidhja është që “Serbia të njohë Kosovën, duke implementuar marrëveshjet që tashmë janë nënshkruar”.

Diçka e tillë do të “normalizonte jetët e serbëve, shqiptarëve dhe të tjerëve”.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në vijim të intervistës me AP-në, Biserko thotë se “nëse s’ka konsolidime thelbësisht mes shtetësive të vendeve të Ballkanit, apo strukturat euro-atlantike braktisen, rajoni do të jetë në mënyrë të vazhdueshme i përçarë në sfera të ndryshme të interesit”.

“Përmbledhtazi”, shprehet ajo, do të thotë “jo-stabilitet i vazhdueshëm”.

“Për më tepër, bota po ballafaqohet me sfida të reja, sfida këto ndaj të cilave as vendet e mëdha s’kanë përgjigje, e lëre më të tjerat. Përgjigjet duhet të jenë të nivelit global, siç na dëshmoi pandemia me COVID. Sfidat e tjera të nxehta, si çështjet klimatike, mjedisore, kapitalizmi i shfrenuar që zgjeron pabarazinë botërisht – të gjitha këto relativizojnë kufijtë dhe sovranitetin”, konsideron Sonja Biserko.

Ajo thotë se të gjitha shtetet të dala nga ish-Jugosllavia qëndrojnë prapa sa u përket këtyre çështjeve madhore.

“Pa hequr dorë nga projektet për shtete të mëdha, pa bashkëpunim rajonal (për të cilin vetëm flasin), rajoni do të mbetet në periferi e pa asnjë relevancë (gjë që edhe është)”, shpjegon ajo.

Serbia dhe qasja e saj ndaj Malit të Zi

Qasje problematike Serbia nuk ka vetëm ndaj Kosovës, shpjegon Biserko, por edhe në rajon.

Për zhvillimet e fundit në Mal të Zi, me rastin e fronësimit të Mitropolitit Joanikije në Cetinë, ajo thotë se “është vazhdimësia e politikës serbe në rajon”.

Protestat në Cetinë kundër fronësimit të Mitropolitit Joanikije në Manastirin e Shënj Pjetrit të Cetinës.

“Serbia nuk ka hequr dorë nga aspiratat e saj. Ajo tashmë po i realizon ato përmes mjeteve të tjera. Dëshira për dominim është ende shumë e fortë. Për më tepër, Beogradi beson se konteksti ndërkombëtar është i favorshëm për ta për veprime të këtilla ofensive, si kjo që ndodhi në Mal të Zi”.

Rënia nga pushteti e partisë së presidentit të Malit të zi, Millo Gjukanoviç (DPS), në sy të Serbisë është një mundësi e mirë për “një Mal të Zi më ndryshe”, thotë ajo.

“Beogradi qëllimisht ka organizuar kurorëzimin në Cetinë në mënyrë që promovojë agjendën rajonale të Serbisë, dhe kështu të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe identitetin e Malit të Zi”, gjykon Biserko.

Ndërsa, përmes këtyre veprimeve, sipas saj, Serbia me ngut po largohet nga vlerat kyçe të BE-së dhe NATO-s, po shkatërron konceptin e të qenit qytetar, po rrënon sekularizmin dhe po synon që Malin e Zi ta bëjë “provincë të Botës serbe”.

Fronësimi i Mitropolitit Joanikije në Cetinë të Malit të Zi

“Por, sido që të jetë”, shprehet kryetarja e Komitetit të Helsinkit, “Serbia, me sjellje të këtillë, vetëm sa e fuqizon edhe më shumë identitetin malazias”.

“Përtej asaj që situata aktuale është shumë e mjegullt, sjellja e Beogradit vetëm sa e thellon mosbesimin ndaj të tyre në rajon, dhe në të njëjtën kohë rrezikon dhe sakrifikon të gjithë serbët jashtë Serbisë”.

Gazi i madh lotësjellës i hedhur nga policia malaziase kundër protestuesve në Cetinë.

Vendet perëndimore – pasive ndaj zhvillimeve në Mal të Zi

Biserko shpjegon se parimi më i qartë i politikës perëndimore sa i përket religjionit dhe shtetit është sekularizmi, se në politikat e jashtme të Perëndimit çështjet e fesë asnjëherë nuk lidhen me politikën. Por se ata nuk po arrijnë të kuptojnë me kohë një gjë.

“Ata janë të vonshëm sa i përket të kuptuarit se Kisha Ortodokse Serbe paraqitet eksluzivisht si institucion politik, shumë pak shpirtëror, dhe se ajo është në funksion të politikës së jashtme serbe karshi fqinjëve të saj”, tregon ajo.

“Deklarimet e vendeve të QUINT-it ishin jo-adekuate, tregonin se u mungon të kuptuarit e situatës, dhe veçanërisht atë se Serbia e trajton Malin e Zi si një territor, dhe se aktorët kryesorë të kësaj krize janë Kisha Ortodokse me mbështetjen e forcave të sigurisë të Serbisë, dhe sigurisht, Rusia. Rusia veproi në një formë shumë të sofistikuar kësaj here – përmes kishës”.

Manastiri i Cetinës.

Sonja Biserko thotë se fakti se Mali i Zi është anëtare e NATO-s është një hap shumë i madh para por se “Serbia dhe Rusia po e testojnë se sa larg mund të shkojnë në sfidimin e BE-së, ShBA-së, dhe veçanërisht NATO-s”.

Uniteti Trans-Atlantik pas tërheqjes së ShBA-së në Afganistan

Tërheqja “kaotike e ShBA-së” nga Afganistani, thotë Biserko, e ka dëmtuar reputacionin e saj, dhe ka vënë në dyshim “së paku për një kohë”, ndikimin dhe legjitimitetin e një pushteti global.

“Veçanërisht dëmtuese ishte fakti që nuk u konsultuan me partnerët e tyre të koalicionit dhe nuk siguruan një dalje të sigurtë nga vendi për ata njerëz të cilët mund të jenë të kërcënuar për faktin se kanë bashkëpunuar me to”, shpjegon ajo për Albanian Post.

Shumë analistë botërorë e konsiderojnë këtë si fundi i dominimit amerikan, por ajo thotë se situata është më e komplikuar.

Andaj, konsideron ajo, se “situata është shumë më e ndërlikuar sepse largimi i Amerikës ka hapur një problem për Kinën dhe Rusinë, dhe të gjithë vendet fqinje. Piktura gjeopolitike e botës ka ndërruar në mënyrë të konsiderueshme”.

Ilustrim i unitetit Trans-Atlantik

“Nga këndvështrimi i ShBA-së, largimi nga Afganistani është vendimi i duhur strategjik. Sigurisht se kjo nuk nënkupton fundin e Shteteve të Bashkuara si superfuqi globale, por vetëm një rënie relative dhe e ngadalshme. Ripërqendrimi i Amerikës te Kina sigurisht se do të forcojë aleancën Trans-Atlantike”, shpjegon Biserko.

Skena politike në Evropën post-Merkel

Largimin nga skena politike të Kancelares gjermane, Angela Merkel, Biserko nuk e konsideron ndonjë ndërrim kursi të politikës gjermane karshi vendeve të rajonit.

“Largimi i Merkelit nga skena politike jam e sigurtë se nuk do të ndryshojë asgjë të politikës gjermane në drejtim të rajonit. Përkundrazi, besoj se vetëm sa do të rritet. Udhëtimi lamtumirës i Merkelit, përfshirë Ballkanin, duket të jetë një rishikim i trashëgimisë së saj. Ajo gjithsesi se do të mbetet një figurë me ndikim politik jo vetëm në Gjermani, por edhe në BE”, përgjigjet Sonja Biserko.

Rusia dhe Ballkani

Rusia, thotë ajo, sigurisht se në Ballkan gjithnjë vepron si faktor destabilizues.

“Rusia në mënyrë propagandistike e ka përdoru largimin kaotik të Amerikës nga Afganistani, për të deklaruar se demokracia ideale perëndimore nuk është universale. Por, se edhe Rusia edhe Kina duhet në fakt të jenë të shqetësuara për Afganistanin post-amerikan”, thotë ajo.

Ndërsa thotë edhe se mos-angazhimi i Perëndimit në Ballkan i ka lënë shumë hapësirë Rusisë të manovrojë, por edhe elitat e dobëta politike të Ballkanit.

Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë

“Vetëm një politikë serioze e Perëndimit mund ta integrojë Ballkanin Perëndimor në hapësirat evropiane të cilave edhe objektivisht u përket”, përfundon Sonja Biserko për Albanian Post.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore