Shqipëria

BigSEE nderon me çmim ndërkombëtar kopshtin “Lidhja e Prizrenit”


BigSEE ka kurorëzuar me çmimin ndërkombëtar të arkitekturës “BigSEE ARCHITECTURE AWARD 2021”, kopshtin “Lidhja e Prizrenit”.

Këtë lajm e ka festuar me të drejtë dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Facebook.

Ky i fundit do t’i referohej godinës në vitin 2020 si “një mjedis si në çdo vend të Evropës”.

Ndërsa sot, kreu i qeverisë sjell në vëmendje se përtej ngritjes së një ndërtese bashkëkohore, kjo zonë “kishte deri dje vetëm ndërtime pa leje”.

Kopshti Lidhja e Prizrenit, sipas BigSEE, synon të krijojë hapësira bashkëkohore mësimore që përshtaten me funksione të ndryshme bazuar në nevojat e fëmijëve.

 

Sa i takon dizajnit, ai vjen si kërshëri e aktiviteteve në natyrë.

Këto të fundit konsiderohen si vendimtare në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve.

Studioja që rroku dhe kënaqësinë e këtij trofeu estetik dhe organik është Studioarch4.

Studioarch4 u themelua në vitin 2011 nga një grup i ri arkitektësh.

Kujtojmë që kjo studio është “prapa” ndërtimit dhe përfytyrimit transformues të shkollës së muzikës “Servete Maçi”.

Në thelb, vijon BigSEE, kopshti ka një “hapësirë të jashtme” që brendësohet gjatë ditëve me shi.

“Kjo hapësirë ​​vepron si një atrium për disa tubime dhe aktivitete”, shkruhet në përshkrimin e çmimit.

Për më tepër, ndarësit e klasave janë prej xhami për të lehtësuar hapjen dhe komunikimin, vizual dhe fizik, me oborrin e brendshëm.

Një tipar tjetër dallues, sipas vlerësuesve, është edhe fasada.

Kjo, për shkak se siti është afër banesave rezidenciale.

Fasada e biruar dhe oborri ndikojnë në mënyrën se si dritat natyrore hyjnë në ndërtesë dhe kontribuojnë në ajrosjen natyrale.

Ndërsa, ngjyrat e fasadës përfaqësojnë lojën e karakterit të ndërtesës, duke tërhequr interesin dhe angazhimin e fëmijëve.

Çmimet BigSEE u prezantuan fillimisht si çmime rajonale për të eksploruar dhe promovuar sistematikisht potencialin krijues dhe të biznesit të Evropës Juglindore.

Por, me ambicien e lidhjes së krijimtarisë përtej kufijve rajonalë, ato i kanë tejkaluar kornizat rajonale dhe janë bërë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore