Lajme

Big Brother VIP Kosova ka përfunduar


Këtë të premte është “Prime” i radhës në Big Brother VIP Kosova por emisioni tashmë ka përfunduar të hënën që shkoi. “Prime” i kaluar ka prodhuar momentin kulmor të spektaklit dhe çfarëdo që të ndodhë tjetër në atë shtëpi luksi nuk i vihet dot sipër.

Televizioni vazhdon të mbetet forma më e shpeshtë e absorbimit të imazheve dhe mesazheve, prandaj përbën edhe një nga armët më të fuqishme për ndryshime sociale.

Por, si çdo art tjetër, edhe televizioni ka përjetuar epokat e veta. Në muzg të mileniumit të kaluar, saktësisht krejt në fund të viteve 90-ta, filloi edhe epoka e “Reality TV” dhe nuk po kalon dot.

“Reality show” riforëmsoi krejtësisht të bërit televizion dhe aranzhimi më dinozaur i këtij formati të ri ishte zbulimi i Big Brother.

Reality TV mbetet një nga servimet më të përtypshme për publikun. Nga fabulat dhe intrigat fiktive të përfundimeve të parashikuara dhe nga karakteret heroike, njerëzit kërkuan diçka më të paparashikueshme dhe më tokësore.

Dhe Big Brother, një prodhim holandez i producentit John de Mol, u kthye në një nga mbarështimet më të perfeksionuara të prodhimit të Reality-ve.

Ky lloj manifestim i televizionit megjithatë nuk njihet aq për transformime kualitative shoqërore, sa për riprodhimin e banaliteteve të jetës së përditshme brenda një hapësirë të mbyllur dhe, jo rrallë, të kontrolluar për të ofruar pikërisht të kundërtën e asaj që e proklamon – realitetin.

Por, një Big Brother po shfaqet edhe në Kosovë. Dhe në javën që po mbaron, ka ndodhur diçka që shkon përtej konsumimit ditor të spektaklit.

Të hënën e kaluar në Klan Kosova ngjau një moment, i cili ndoshta ka qenë starti i një ndryshimi social, ose më saktë, pranim i një rrethane që ekziston, porse refuzohet jo me artikulim të qartë kundërshtues, por nga frika e pranimit.

Një nga karakteret e BBVK, Edoni, apo Victoria, një djalë nga Prishtina që me raste shndërrohet në një vajzë kozmopolitane priti të dashurën e tij/saj si surprizë në Big Brother dhe më pas shkëmbeu puthje e përqafime ashtu i grimuar e me paruke me flokë të gjata.

E pabesueshme, apo jo?

Një shoqëri që vetëm para 20 vjetësh nuk lejonte në televizion as puthjen artistike në filma. Një shoqëri që para 10 vjetësh derisa konsumonte telenovela latine një nga familjarët qëndronte me gishtin gatitu në TV Pilot, sepse liria romantike përjetohej si erotikë e papërshtatshme, e ka përbirë një puthje të tillë pa e protestuar fare.

Imazhi ishte i fuqishëm aq sa dhe shokues.

Shumë veta nuk kanë mundur ta besojnë çfarë po shohin dhe gjithashtu nuk kanë besuar se po u duket kaq e natyrshme ajo që shihnin.

Një burrë nga Kosova që vishet si grua dhe del në televizor në Kosovë, thotë se jam biseksual dhe pastaj takohet me të dashurën e tij dhe shkëmben puthje i veshur si grua…

Ky formulim edhe veç si fjali është trullosës.

Prit, çfarë? Si, kur, ku?

Një “moment emancipimi” ndante hapësirën me një “episod degjenerimi”, një çast që po afronte polet shoqërore. Bashkim i dy botëve që jetojnë paralelisht me vetëdijen për ekzistencën e njëra tjetrës, por pa pranim reciprok.

Në momentin që po shfaqej dashuria mes dy të rinjve që përcaktojnë lirshëm identitetet e tyre, afër 50 mijë veta shikonin vetëm në Youtube, qindra mijëra të tjerë në aparate televizive.

Disa mund ta kenë protestuar në ambientin e mbyllur të shtëpisë, por po e konsumonin si gjithë të tjerët.

Puthja e Edonit – një burrë që përmes grimit dhe veshjes ekzagjeron tiparet femërore, pra një Drag Queen – me të dashurën e tij Lisa, e cila kishte më pak grim se sa ai vetë, po i detyronte të gjithë ta pranojnë se ata ekzistojnë dhe se e kanë guximin e mjaftueshëm për ta manifestuar dashurinë e tyre.

Dekretimi i ekzistencës së kësaj dashurie bëhej në TV dhe jepej drejtpërdrejt, derisa ne momentin kur po ndodhte shënonte kulmin e audiencës në një emision me ndjekje edhe ashtu më të madhen.

Dy të rinj për qejfin e tyre që po përmbysnin piramidën.

Nga ndrydhja për hir të të tjerëve në shpalosjen e vetës si ballafaqim me të tjerët.

Më fal se të bëra me grim”, nuk i thoshte Lisa Edonit, por Edoni Lisës.

Çfarë do të ndodhë tjetër aty që shkon përtej këtij momenti të dashurisë së dy vetave që respektojnë qenien e tyre aq shumë, e opinionet e të tjerëve për atë dashuri “të palejueshme” aq pak?

Asgjë.

Ndryshe nga sa mund të mendohet, proklamimet emancipuese nuk vijnë asnjëherë si deklarime zyrtare, por si momente të tilla që prekin sentimentin e publikut dhe ngritin zërin për kërkesa e shqetësime shoqërore.

Do të thotë, klithma e vërtetë emancipuese nuk është ai ideali i dukshëm që kërkon zyrtarisht heqjen e disa pengesave për grupet e shtypura të shoqërisë, por situata si këto që shkaktojnë pasoja të paqëllimta dhe kërkesa pothuajse të pavetëdijshme të pretendimit të hapur për të ndryshuar strukturën sociale.

Ngjarje si kjo e fusin në provë rendin shoqëror duke e obliguar ta shkundë setin e normave morale që përqafon.

Edhe me definicion, rolin e veprimeve emancipuese zakonisht e marrin grupet minoritare, të nënshtruarit, “deviantët” dhe të “jashtëligjshmit”, Edoni pra, të cilët shoqëria i kufizon përmes ligjeve dhe zakoneve.

Por nuk përfundon me aksionin e tyre, aty fillon.

Pastaj është në ndërveprimin e shoqërisë me ato aksione dhe njohja publike e atyre veprimeve që detyron pranimin për revizionim të vlerave çfarë përbën ndryshimin emancipues.

Produksioni me gjasë nuk e di çfarë ka prodhuar, Edoni vetë nuk e di çfarë ka bërë, por njerëzit e dinë fare mirë çfarë kanë parë të hënën dhe më nuk e zhbëjnë dot.

Tash kush e fiton garën pak rendësi ka.

Klan Kosova vetë ka fituar një nga momentet që do të shënjojë historinë e televizionit shqiptar, ndërsa kosovarët një shkundje të papritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore