Shqipëria

Bien të ardhurat nga remitancat


Pandemia i ka ulur ndjeshëm të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna jashtë vendit.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga remitancat zënë  në Bilancin e Pagesave për 9-mujorin 2020 vlerën e 155 milionë eurove, një rënie me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i pesë viteve të fundit.

Në kategorinë e të ardhurave të remitancave përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë, të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.

Pandemia ka ndikuar në uljen e kërkesës për punë sezonale për shkak të kufizimeve të ndryshme, ku rënia më e madhe ka ndodhura gjatë tremujorit dytë të vitit 2020.

Banka Botërore përllogarit se prurjet e emigrantëve në vitin 2019 kanë zënë një pozicion të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Sipas përllogaritjeve të saj, të ardhurat nga emigrantët ishin 1,47 miliardë dollarë, një shumë kjo e barabartë me 9.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas raportit të Bankës pjesa më e madhe e remitancave shpenzohen për ushqime dhe pije joalkoolike si  dhe në strehim, ujë dhe energji./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore