Lajme

Beteja e të rinjve në Malawi me shëndetin mendor


E vetme. Në luftë për të paguar tarifat e kursit dhe shpesh e uritur.

Ishte vetëm 18 vjeç kur u përpoq të kryente vetëvrasje.

Favor Umar po studionte në Universitetin e Malawi-t kundër dëshirës së prindërve, të cilët donin që ose të martohej ose të gjente një punë.

“Nuk mund të shihja asnjë rrugëdalje nga situata ime”, ka treguar ajo për “The Guardian”.

Ajo është vetëm një nga një numër në rritje i të rinjve të atjeshëm që ndjehen të izoluar dhe luftojnë me shëndetin e tyre mendor.

Teksa nuk ekzistojnë shifra zyrtare, punonjësit shëndetësorë dhe grupet mbështetëse kanë vërejtur një rritje dramatike të rasteve gjatë dy deri në tre vitet e fundit.

Madje, një studim nga studiuesit në Universitetin Queen Mary të Londrës dhe Universitetin e Millenium-it në Blantyre ka raportuar  një “cikël vicioz të varfërisë dhe problemeve të shëndetit mendor” për të rinjtë në Malawi.

Mercy Mkandawire, themeluese e organizatës rinore iMind, ka dalluar se ka një mungesë të shërbimeve të shëndetit mendor miqësor për të rinjtë në vend.

“Është e vështirë për të rinjtë që të vizitojnë institucionet e shëndetit mendor sepse nuk duan të etiketohen si të çmendur”, ka shtuar ajo.

Prandaj dhe shumica e të rinjve “i mbajnë për vete betejat e tyre”.

Sipas saj, varfëria dhe papunësia janë faktorë të zakonshëm që kontribuojnë në problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë.

iMind, themeluar në vitin 2018 për të mbështetur ata të moshës nga 10 deri në 30 vjeç, ofron referime për shërbimet e pakta mbështetëse të disponueshme.

Po ashtu ndihmon edhe me fushata për ndërgjegjësimin më të madh të shëndetit mendor dhe financimin e shërbimeve.

Ishte viti 2020 kur organizata prezantoi Fresh Minds, një emision radiofonik që mbulon çështje të tilla si depresioni dhe çrregullimet e të ngrënit.

Përmes ekspertëve dhe vullnetarëve të ftuar, ndahen përvojat e ankthit ose abuzimit me substancat. Programi numëron mbi 35 mijë dëgjues, shumica nën 30 vjeç.

Umar-it ky program i ka shpëtuar jetën.

Ajo u diplomua këtë vit dhe punon në marketing.

“Programi më hapi mendjen se si mund ta di se dikush është gati të kryejë vetëvrasje dhe si mund ta ndihmoj atë person”, ka treguar ajo.

Chiwoza Bandawe, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Shkencave Shëndetësore Kamuzu, ka thënë se problemet e shëndetit mendor shpesh konsideroheshin si “pjesë e jetës”.

Por “nëse nuk trajtohen, arrijnë një pikë të veçantë ku njerëzit me të vërtetë heqin dorë dhe ndjejnë se ata thjesht nuk kanë më shpresë”.

“Për prindërit dhe brezin e vjetër, problemi është se ata vetë nuk i marrin seriozisht çështjet e shëndetit mendor për shkak të edukimit të tyre”, ka treguar psikologia.

Kurse të rinjtë janë shumë më lidhur me çështjet e shëndetit mendor pjesërisht për shkak të mediave sociale. “Janë prindërit ata që duhet të edukohen”.

Vendi, shtëpia e 20 milionë njerëzve, ka vetëm një institucion publik të shëndetit mendor; spitalin në qytetin Zomba, që ka një psikiatër.

Chilungamo M’manga, pedagoge në Universitetin e Shkencave Shëndetësore Kamuzu, ka dalluar se numri i vajzave që kërkonin mbështetje nga organizata e saj, Mentor to Mentor, u rrit nga më pak se katër në javë para vitit 2020 në 15 në javë gjatë pandemisë.

“Dhe kur shkolla filloi sërish, ata që vinin filluan të shtoheshin. Numri i njerëzve që kërkojnë ndihmë për të përballuar çështje psikosociale është i madh”, ka theksuar ajo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore