Lajme

BeH i dërgon një notë proteste Malit të Zi pas takimit mes Dodik-ut dhe Mandiç-it


Andrija Mandic dhe Millorad Dodik

Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës i ka dërguar një notë proteste Qeverisë së Malit të Zi pas takimit Presidentit të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik, me Kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiç.

Lajmin për median malazeze “Pobjeda” e ka konfirmuar MPJ-ja boshnjake që drejtohet nga Elmedin Konakoviç.

Ambasada e BeH-së në Mal të Zi ka thënë për “Pobjeda” se nota e protestës u dërgua sepse gjatë takimit të së martës mes Mandiç-it dhe Dodik-ut nuk kishte simbole të BeH-së, dhe në vend të kësaj u shfaqën flamuri malazez dhe ai i Republikës Srpska, si dhe për shkak të deklaratës së Mandiç-it se “FBeH dhe RS krijuan Bosnje e Hercegovinën”, që “nuk është e vërtetë”.

Sipas Kushtetutës së BeH-së, FBeH dhe RS janë etnitete që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Dodik dhe Mandiç, dy përkrahës së projektit të ashtuquajtur “boat serbe”, u takuan më 27 shkurt, madje Dodik në parlamentin malazez foli për natyrën “fenomenale” të këtij projekti fashist.

“Bota serbe është një ide fenomenale ndaj së cilës askush nuk duhet të ketë asgjë kundër”, pretendoi ai, duke shtuar se “askush nuk duhet të ketë asgjë kundër serbëve që të organizohen, të shprehen, të ndërtojnë shkolla, të shkojnë në kishë”.

E gjitha vizita e autoritarit Dodik u shoqërua me skandale, duke filluar nga provokimet ndaj demonstruesve para parlamentit malazez – kundër vizitës së presidentit të RS-së – me tre gishtat e ngritur lart.

Politikani pro rus dhe i izoluar ndërkombëtarisht – i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britania e Madhe, vizitoi Malin e Zi disa ditë pas takimit me presidentët rus dhe bjellorus, Vladimir Putin dhe Alexander Lukashenko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore