Lajme

Beçiroviç: Rusia po përpiqet të largojë vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina përmes RS


Denis Beçiroviç

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe (boshnjake, kroate dhe serbe) të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiçiroviç, në gazetën prestigjioze amerikane “The Washington Times”, i ka paraqitur vlerësimet dhe pikëpamjet e tij për situatë aktuale politike dhe të sigurisë në BeH, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Beçiroviç, në këtë opinion të tij, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO duhet të veprojnë për të ndaluar kërcënimin ndaj paqes në BeH dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka shkruar se paralelisht me fillimin e agresionit rus në Ukrainë, në BeH, entitetit serb, pra Republika Srpska, filloi aktivitetet që paraqesin një kërcënim serioz për paqen në Ballkanin Perëndimor.

“Në koordinim me Moskën, liderët e RS-së po sulmojnë dispozitat themelore të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Fushata e frikësimit është intensifikuar kohët e fundit deri në pikën ku Bosnja e Hercegovina tani përballet me kërcënime të tmerrshme të dhunës së armatosur të ripërtërirë, diçka që SHBA dhe NATO nuk duhet ta lejojnë”, shtoi.

Beqiroviç vuri në dukje se presidenti i RS-së (Millorad Dodik) po kërcënon të përdorë forcën për të rrethuar dhe pushtuar kazermat e Forcave të Armatosura të ligjshme të BeH. “Një retorikë e tillë luftarake, së bashku me militarizimin e rrezikshëm brenda RS, mund të ketë pasoja serioze që do të kërcënonin paqen në këtë pjesë të Evropës”.

“SHBA dhe Britania e Madhe janë të vetëdijshme për këtë rrezik. Ata vendosën sanksione ndaj Dodik-ut dhe udhëheqësve të tjerë të RS, duke deklaruar se politika e rrezikshme anti-Dejton dhe nacionaliste e drejtuesve të entitetit të RS minon paqen e brendshme dhe rajonale, nxit urrejtjen etnike dhe mohimin e gjenocidit”.

“Edhe Bashkimi Evropian është i kujdesshëm. Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan një rezolutë që u bën thirrje ministrave të jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së të mbështesin vendosjen e sanksioneve të forta ndaj Dodik dhe liderëve të tjerë të RS për shkeljen e Marrëveshjes së Dejtonit”, vuri në dukje ai.

Siç thotë Beçiroviç më tej, Federata Ruse, përmes njësisë së RS-së, “po përpiqet të largojë vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, kjo, sipas tij, “për shkak të politikës së hapur pro-ruse të kreut të entitetit të RS, kjo pjesë e Evropës, së bashku me Ukrainën, janë pika më e dobët në arkitekturën e sigurisë euroatlantike”.

“Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Rusisë në punët e brendshme të shtetit të pavarur dhe sovran të BeH-së dhe mbështetja e fortë për politikanët pro-rusë dëshmohet më së miri nga deklarata e fundit e ambasadorit rus në BeH, i cili publikisht tha se Dodik është ‘një nga miqtë më të mëdhenj të Rusisë’”.

Ai bëri e dije se Dodik e ka vizituar më shumë se 20 herë Rusinë viteve të fundit.

“Secila vizitë e tij përgatitet me kujdes për arritjen e marrëveshjeve të reja, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara. Ajo deklaratë, si dhe shumë prova të tjera, flasin qartë për përpjekjet për të destabilizuar BeH nën udhëzimet e drejtpërdrejta të Moskës”, vlerësoi.

Anëtari boshnjak i presidencës së BeH-së ka theksuar se Perëndimi duhet të reagojë urgjentisht përpara se situata të përshkallëzohet.

“ShBA është një mik i dëshmuar i BeH-së multietnike. Si anëtar i Presidencës së BeH, falënderoj ShBA-në për gjithçka që ka bërë dhe po bën për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të vendit tim. ShBA-të ofrojnë vazhdimisht mbështetje për stabilitetin dhe progresin ekonomik të vendit tonë. Vetëm një përgjigje e fortë dhe e unifikuar nga Perëndimi dhe forcat demokratike në BeH garantojnë se separatistët pro-rusë nuk do të kërcënojnë paqen”, beson Beqiroviç.

Ai ka potencuar se Marrëveshja e Dejtonit është një nga pesë marrëveshjet më të suksesshme të paqes që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri më tani, dhe se ShBA dhe vendet e tjera perëndimore kanë investuar më shumë se 50 miliardë dollarë amerikanë në BeH në periudhën pas Dejtonit.

Beqiroviç, po ashtu deklaroi se BeH dhe rajoni përballen me zgjedhjen mes politikës së destabilizimit dhe ruajtjes së paqes.

“Nëse nuk ka përgjigje konkrete ndaj përpjekjeve të hapura për të shkatërruar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, faza tjetër do të çojë në destabilizimin e pashmangshëm jo vetëm të Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe të gjithë rajonit. Perëndimi mund dhe duhet të parandalojë përhapjen e konflikteve në Ukrainë dhe shpërthimin e konflikteve në Ballkanin Perëndimor”, ngriti shqetësimin ai.

Në vlerësimin e tij është inkurajuese që pas kërcënimit të fundit të Dodik se RS do të shkëputet nga BeH, James O’Brien, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe një nga autorët e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, dha një deklaratë të saktë; “marrëveshja nuk ka të drejtë për shkëputje dhe ShBA do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë atë element bazë të Dejtonit”.

“NATO vendosi paqen në vitin 1995 dhe ka një mandat për të mbrojtur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Marrëveshja Kornizë e Përgjithshme për Paqe në BeH, brenda Aneksit 1-A, përmban gjithashtu një marrëveshje mbi aspektet ushtarake të zgjidhjes së paqes. Bazuar në Rezolutën 1031 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, NATO-s iu dha një mandat për të zbatuar aspektet ushtarake të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.

“Sipas marrëveshjes, NATO ka një mandat për të siguruar paqen, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës. NATO gjithashtu ka për detyrë të ndalojë të gjitha forcat shkatërruese që paraqesin kërcënim për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

Duke marrë parasysh rrezikun serioz me të cilin përballet rajoni, si dhe rëndësinë strategjike të pjesëve të caktuara të vendit tonë, sipas tij, një përgjigje adekuate nga Perëndimi do të ishte vendosja e shpejtë e trupave të NATO-s në disa pika strategjike në BeH.

“Gjykatat më të larta të Kombeve të Bashkuara kanë vendosur ligjërisht se gjenocidi ndaj boshnjakëve është kryer në Srebrenicë në vitin 1995, në ‘Zonën e Sigurt të Kombeve të Bashkuara’. Aktgjykimet specifikojnë qartë se gjenocidi është kryer nga ushtria, policia dhe elita politike e Republikës Srpska”.

Por, shton ai, përveç gjenocidit, krime lufte dhe krime të tjera kundër njerëzimit u kryen në të gjithë BeH-në.

“Glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe kthimi në ideologjinë dhe politikën e tyre kriminale është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe një provokim i rëndë për botën e qytetëruar”, tha Beçiroviç.

Fatkeqësisht, siç shtoi ai, “ithtarët e së njëjtës ideologji dhe politikë që janë përgjegjës për gjenocidin po kërcënojnë sërish paqen në BeH dhe në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore