Lajme

Beçiroviç i përgjigjet Vuçiç-it: Problemi kryesor në BeH je ti, jo Dodik


Denis Beçiroviç

Kryetari i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës (boshnjake, serbe dhe kroate), Denis Beçiroviç, i ka dërguar një mesazh Presidentit të Serbisë, Aleskandër Vuçiç, duke i thënë se problemi kryesor në BeH, nuk është presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, por ai vetë.

Këto komete, Beçiroviç i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Vuçiç ka thënë se nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, “do t’i bëj thirrje popullit serb që të varë flamujt serbë në të gjitha vendet ku jetojnë”.

Këtë deklaratë e kishte bërë pas takimit që e kishte pasur me përfaqësuesit e Republikës Srpska, në Beograd, për të koordinuar hapat në mënyrë që të kundërshtojnë rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

“Prandaj, zyrtarët ndërkombëtarë duhet të pyesin veten se çfarë lloj instruksionesh po i jep Vuçiç Dodik-ut”, ka shkruar Beçiroviç, duke shtuar se presidenti serb duhet të respektojë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të BeH dhe të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme.

“Mesazhi im për të është të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të mos sillet sikur rregullat nuk vlejnë për të”, shtoi ai.

Ndryshe, projekt-rezoluta që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë do të prezantohet më 17 Prill në një takim të mbyllur në OKB.

Vendet anëtare të OKB-së mund të shprehin mendimin e tyre për rezolutën përfundimtare, për të cilën ende po punohet, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fillim të majit.

Në projekt-rezolutën – ndër të tjera – kërkohet që të dënohet pa rezerva çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë dhe të inkurajohen anëtarët e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë programe të përshtatshme përmes sistemeve arsimore të tyre me qëllim të parandalimit të revizionizmit dhe gjenocidit në të ardhmen.

Nismëtarët e rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda.

Vendimet gjykatave ndërkombëtare vërtetuan se gjenocid ishte kryer kundër rreth 8,000 civilëve boshnjakë në korrik 1995, kur Ushtria e Republika Srpska pushtoi Srebrenicën.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiç, ish-presidenti i parë i Republika Srpska, u dënua në Hagë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në pjesë të tjera të Bosnje e Hercegovinës.

Për shkak të gjenocidit, në të njëjtën gjykatë u dënua me burgim të përjetshëm edhe komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç.

Përveç tyre, janë dënuar gjithashtu edhe Ljubisa Beara, ish-shefi i sigurimit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska, Zdravko Tolimir, ish-ndihmës komandant për çështjet e inteligjencës dhe sigurisë së Shtabit kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska, dhe Vujadin Popoviç, shef i sigurisë të Korpusit Drina të Ushtrisë së Republika Srpska.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore