Lajme

Beçiroviç i jep “ultimatum” Perëndimit: Shtatë ditë afat që të ndaloni shkatërrimin e Marrëveshjes së Dejtonit


Denis Beçiroviç

Anëtari boshnjak i Presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviç, ka dalë me një “ultimatum” për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, pas vendimit të Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë – për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të vendit.

Beçiroviç ka thënë se Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe e ka “vrarë” Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit (1995) dhe se do t’i jap bashkësisë së organizuar ndërkombëtare shtatë ditë afat për, siç theksoi ai, “ringjalljen” e Marrëveshjes e Paqes së Dejtonit.

“Si anëtar i presidencës, i jap shtatë ditë afat bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht dëshmitarëve të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, që të ndalojnë shkatërrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Vendimi i djeshëm i dha goditjen më të rëndë marrëveshjes”, ka thënë Beqiroviç.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Serbe, Milorad Dodik, i cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë, prej vitesh mbron idenë e ndarjes së entitetit serb për t’u bërë pjesë e Serbisë. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ka gjasa të fitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesës më të madhe të Perëndimit.

“Ajo që po bën Dodik dhe ndjekësit e tij është një fatkeqësi e madhe si për entitetin serb ashtu edhe për shtetin, por edhe për rajonin. Fituesi i vetëm është regjimi i [Vladimir] Putinit, për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm edhe në Perëndim”, ka deklaruar Beqiroviç.

Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet një komunikate për media të enjten, ka thënë se vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, e cila miratoi një ligj për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, përfaqëson përshkallëzim të rrezikshëm të kërcënimeve secesioniste.

“Ky ligj shkel Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Sfidimi i Gjykatës Kushtetuese kërcënon jo vetëm sundimin e ligjit, por edhe stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në komunikatën e DASH-it.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në aktivitete që kundërshtojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

Autoritetet e Republikës Serbe refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore. Dodik haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e Republikës Serbe me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore