Lajme

BE miraton paketën e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë


Bashkimi Evropian ka zbuluar paketën e saj të katërt të sanksioneve kundër Kremlinit. Ajo synon eksportet e mallrave luksoze si dhe investimet në sektorin energjetik të Rusisë.

Më shumë oligarkë dhe njerëz që përhapin të ashtuquajturin “dezinformim” do t’i shtohen listës së individëve që i nënshtrohen ngrirjes së aseteve të BE-së.

Burimet i kanë thënë medias britanike “BBC” se lista do të përfshijë pronarin e klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, i cili tashmë është sanksionuar nga Britania e Madhe.

Do të ketë gjithashtu një ndalim të eksportit të mallrave luksoze, të tilla si makina të shtrenjta dhe bizhuteri, në Rusi. Gjithashtu, kufizime në importin e produkteve të çelikut rus dhe në investime të reja në sektorin energjetik rus.

Ndërsa BE-ja ka shkuar më tej dhe më shpejt me sanksionet nga sa prisnin shumë, diplomatët i kanë thënë “BBC-së” për një përçarje gjithnjë e më të dukshme mes Polonisë dhe shteteve baltike – që duan masa gjithnjë e më të forta – kundrejt një qasjeje më të kujdesshme të favorizuar nga vende si Gjermania dhe Italia.

Kjo është dita e 20-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së mbi 2.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse -mes tyre edhe fëmijë.

Për të ndjekur zhvillimet e fundit të luftimeve Ukrainë-Rusi kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore