Shqipëria

“Basha nuk e ka etiketuar anëtarësinë e PD-së si antiamerikane”


Partia Demokratike (PD), mbrëmjen e 20 shtatorit, ka sqaruar se kreu i saj, Lulzim Basha, “nuk e ka etiketuar anëtarësinë e PD-së si antiamerikanë”.

“Ky është një trillim i qëllimshëm nga ata që prej kohësh keqpërdorin gjithçka për interesa personale”, është sqaruar në postimin e medias sociale Facebook, të PD-së.

Sipas njoftimit, kryedemokrati ka thënë se Shtetet e bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë qenë, janë dhe do të jenë aleati i PD-së, “për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike”.

“Askush nuk mund ta cenojë aleancën dhe partneritetin mes Partisë Demokratike dhe SHBA-ve”.

Në mbledhjen e Kryesisë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që u mbajt ditën e sotme ka pasur debat midis kreut të demokratëve, Lulzim Bashës dhe deputetit të kësaj partie Flamur Noka.

Basha ka theksuar se vendimi për Sali Berishën nuk ka më kthim pas.

“Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht. Derisa e vërteta të dal në shesh do të qëndroj jashtë grupit. Ai nuk është përjashtuar as nga strukturat që të ishte nevoja për mbledhjen e organeve të PD-së”, ka deklaruar kryedemokrati.

Noka vendimin e Bashës për përjashtim të Berishës e ka cilësuar si thikë pas shpine për demokratët.

“Ai duhej lënë forumeve të PD-së ta merrnin. Vetëm vendimi i anëtarësisë mban PD-në të bashkuar”.

Basha i është përgjigjur që nuk ka dashur që ta lejë këtë vendim në dorë të forumeve, me qëllim për të mbajtur të bashkuar partinë.

“Në PD nuk do të lejojë të ketë grupime anti-amerikane. Ky është vendim në interes të demokratëve”.

Noka ndër të tjera në debat ka theksuar se nuk mund të diskutohet për operacion opozitar pa u zgjedhur çështja Berisha.

Basha nga ana tjetër ka bërë me dije se nuk do të ketë asnjë mbledhje të Kuvendit Kombëtar, dhe as “forumi anti-amerikan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore