Lajme

Barnave të Rezervës Shtetërore iu ka skaduar afati, nuk janë zëvendësuar sipas ligjit


Foto: Albanian Post

Në rast të ndonjë krize ushqimore, qytetarët e Kosovës edhe mund të kenë shpresa në grurin e rezervës shtetërore, por në rast të ndonjë katastrofe apo lufte nuk mund të llogarisin në barnat esenciale që ruhen nga shteti për ditë të vështira.

Kjo sepse Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, nuk i ka zëvendësuar barnat e rezervës shtetërore që iu ka skaduar afati i përdorimit.

Burime të AP brenda institucioneve të Kosovës kanë treguar se barnat nuk janë zëvendësuar ashtu siç e përcakton Ligji për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Te neni 3, Përkufizimet, pika 1.8 parasheh se barnat e rezervës duhet të zëvendësuar para afatit të skadencës. Afati ka kaluar moti, por ilaçet esenciale nuk janë zëvendësuar.

Zëvendësimi i rezervave shtetërore të mallrave për produktet, listën esenciale të barnave që janë para afatit të skadencës“, thotë Ligji për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Sipas burimeve, barnat ka kohë që nuk janë zëvendësuar, ashtu siç zëvendësohen produktet tjera esenciale. Në rezervën shtetërore ruhet gruri, mallra agro-ushqimore, naftë, barna esenciale etj.

Neni 12 i këtij ligji e përcakton se rezervat shtetërore të mallrave përbëhen prej prodhimeve themelore bujqësore, duke përfshirë edhe mishin në kafshë të gjalla dhe prodhimet ushqimore industriale; më pas prodhimet e caktuara jo ushqimore industriale – lëndët e para, materiale reprodukuese, naftës dhe derivate të saj, barnat, material sanitar, dhe mjete medicino-veterinare të domosdoshëm për transport-bartje të mallrave me interes të posaçëm për mbrojtje të shtetit.

Ligji përcakton përmes këtij neni që pjesë e rezervave janë edhe mjetet monetare dhe makineri si dhe pajisje tjera për intervenime emergjente.

Ky skandal i mos zëvendësimit të barnave në Rezervën Shtetërore vjen në kohën kur MINT është përfshirë në të tjera si mungesa e grurit në rezerva, pasi kompania polake të cilën e ka paguar qeveria nuk e ka sjellë mallin përkundër se ka pranuar paratë.

Mediumi Nacionale raportoi gjithashtu se afër 300 mijë litra të rezervës së vajit që ishin porositur në Poloni nuk kanë arritur edhe pse ishin paguar.

Këto parregullsi me buxhetin është duke i hetuar edhe Policia e Kosovës, gjegjësisht Krimet Ekonomike që kanë intervistuar zyrtarët e Departamentit të Rezervave dhe të Financave në MINT.

Krejt ky skandal zanafillën e ka te një vendim i Qeverisë së Kosovës, i nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, që kishte ndarë 10 milionë euro për blerjen e rezervave shtetërore, duke iu shmangur procedurave të prokurimit, duke mundësuar kështu që mallrat të bliheshin me negocim.

Por ligji i rezervave shtetërore të mallrave nuk e justifikon vendimin e kryeministrit Kurti për blerjen e mallrave pa procedura të prokurimit.

Çdo blerje duhet të bëhet përmes Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), veprimi ndryshe është shkelje ligjore.

Sipas nenit 19 të Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave që përcakton procedurat e furnizimit më mallra, Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave përmes procedurave të prokurimit publik bën furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin një (1) vjeçar.

Kurse neni 20 që tregon se si bëhet blerja, shitja dhe huazimi i rezervave shtetërore të mallrave, thotë se “blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave sipas këtij ligji duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore”.

“Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik”.

Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik, dhe në gjuhën Angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare“, thotë ligji, që nuk është respektuar nga Qeveria e as nga MINT.

Ministria sa herë pyetet për Rezervat Shtetërore nuk flet duke u arsyetuar në heshtjen për shkak se rezervat janë sekret shtetëror, por sekret është vetëm vendndodhja dhe sasia, jo edhe procedura e blerjes së këtyre mallrave.

Këto abuzime nuk do të ndodhin nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të merrte vendim më 26 shkurt të vitit 2022, për t’i shmangur procedurat e prokurimit.

Vendim i kreut të ekzekutivit kosovar për t’i shmangur procedurat e prokurorimit, kishte mundësuar që mallrat të bliheshin me negocim.

Ndarja e 10 milionë eurove për blerjen e rezervave shtetërore, ishte arsyetuar me luftën në Ukrainë dhe me inflacionin që kishte shkaktuar pandemia COVID19, dhe kështu për të përshpejtuar procesin e blerjes së rezervave shtetërore.

Kërkesa kishte ardhur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrëisë dhe Tregtisë, e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore