Lajme

Bajrami, Qeverisë: Jeni të korruptuar, frikacakë dhe shpifës


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po flitet për kontratat njëburimore, ka reaguar pas është larguar nga seanca ministri Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Ky është ministër që në ministrinë e tij shkruajnë dy veta tenderë, Hysen Durmishi dhe Liburn Aliu pasi duan ta ndajnë tallin, jo për diçka tjetër. Jeni të korruptuar, jeni frikacak edhe jeni shpifës”, tha Bajrami.

Po ashtu, Bajrami ka prezantuar Rezolutën për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë.

Gjatë këtij mandati qeverisës, sipas Bajramit, janë nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore në vlerë për mbi 240 milionë euro.

“Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore, sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i mirë”, ka potencuar ajo.

Për më tepër, sipas saj, kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut të lirë dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë.

Ndërkaq shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të themelohet një Komision Hetimor Parlamentar, meqë sipas tij, ka material për prokurorinë.

“Duhet ta nisim një Komision Hetimor Parlamentar për këto kontrata, pra po flasim për rreth 220 kontrata njëburimore. Në këto kontrata ka material të mjaftueshëm për prokurorinë”, tha Tahiri.

Tahiri ka theksuar se këto kontrata janë burim i korrupsionit dhe e dëmtojnë buxhetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore