Kosova

Avokati i Popullit kërkon nga MASHTI të mbikëqyrë bartësit e arsimit të lartë


Ministria e Arsimit në Kosovë

Avokati i Popullit teksa i ka adresuar një raport Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka kërkuar mbikëqyrje të bartësve të arsimit të lartë.

Sipas njoftimit, Avokati i Popullit në vazhdimësi ka pranuar ankesa nga studentë dhe ish-studentë të kolegjeve private, bartës të arsimit të lartë në Kosovë që lidhen me mos mosnjohjen dhe mos verifikimin e diplomave të tyre.

“Raporti trajton disa aspekte: ankuesit kishin përfunduar programet studimore në Bartës të Arsimit të Lartë në drejtime të cilat nuk kishin pasur akreditim dhe licencë, pastaj me rastin e regjistrimit të ankuesit në kolegj, kolegji kishte akreditim, mirëpo me rastin e përfundimit të studimeve, kolegjit i ishte refuzuar kërkesa për ri akreditim dhe si pasojë në këto raste diplomat e tyre ishin të pavlefshme”.

Ilustrim

“Ankuesit nuk mund t’i vijonin studimet më tej. Në rastet e tjera, ankuesve nuk mund t’iu njihen/verifikohen diplomat për shkak të mosdorëzimit të librave amë nga Bartësit e Arsimit të Lartë dhe të njëjtët po ashtu nuk mund t’i vijojnë studimet më tej dhe as studimet jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Në raportin e dy dhjetorit, avokati i popullit, ka vlerësuar se mosveprimi i institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore ka krijuar hapësirë që Bartësit e Arsimit të Lartë të funksionojë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Përveç tjerash ka krijuar pasiguri, humbje financiare e thyerje morale tek studentët”.

“Meqë akreditimi është proces që garanton se një institucion i arsimit të lartë dhe programet e tij i plotësojnë standardet ndërkombëtare të pranuara të cilësisë, Avokati i Popullit konstaton se disa Bartës të Arsimit të Lartë kanë lëshuar diploma në kundërshtim të plotë me procedurat e akreditimit dhe licencimit”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit ka konstatuar se dorëzimi i librave amë në afatin e përcaktuar ligjor është obligim i Bartësve të Arsimit të Lartë, moszbatimi i tyre është përgjegjësi e secilit institucion që ushtron këtë veprimtari.

Sipas Avokatit të Popullit është e nevojshme që institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit t’i ndërmarrin veprimet ligjore lidhur me çështjen e njohjes/verifikimit të diplomave, në mënyrë që kjo çështje të përfundojë dhe studentët të mos përballen me probleme të kësaj natyre.

Për këto dhe çështjet tjera të trajtuara në Raport, Avokati i Popullit i rekomandoi MASHT-it “të angazhohet që komisionet e formuara nga MASHTI t’i përfundojnë detyrat e dhëna në një afat të arsyeshëm kohor”.

MASHT

“Çështja e njohjes/verifikimit të diplomave të marrë epilog, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe në pajtim me standardet evropiane”.

“Të sigurojë që Inspektorati i Arsimit, si organ ekzekutiv qendror, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet efektive për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të aplikueshëm nga të gjithë Bartësit e Arsimit të Lartë, deri në ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten”, vijon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore