Shqipëria

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet për rritjen e çmimit të karburanteve


Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur shqetësim për rritjen unanime nga të gjitha kompanitë  të çmimit të karburanteve.

Sipas kreut të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, ky Autoritet ka nisur dhe një hetim në lidhje me çështjen e krijuar.

“Çmimet janë të rëndësishme. Ne kemi vendosur prej një jave monitorimin e tregut të hidrokarbureve, pra indikatori ishte rritja e menjëhershme në unison e çmimit”.

Sipas Konkurrencës, rritja e çmimit në mënyrë unanime tregon që mund të jetë bërë ndonjë marrëveshje e ndaluar.

“Kjo mund të jetë një nga indiciet e një marrëveshjeje të ndaluar, mund të jetë e ndikuar nga tregjet e jashtme, prandaj kemi vendosur hetimin për një periudhë që të jetë sa më e shpejtë brenda kapaciteteve tona”.

Javët e fundit, çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje të njëpasnjëshme, duke e çuar çmimin e një  litër naftë në 196 lekë, ndërsa një litër benzinë në 198 lekë.

Për sa i përket kësaj çështjeje, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, është shprehur se “Shqipëria operon sistemin e tregut të lirë”.

Sipas saj, qeveria nuk ndërhyn në çmime, por mund të ndërmarrin politika mbrojtëse.

“Rritja e çmimit të naftës, energjisë dhe produkteve të tjera është një subjekt i rritjeve jo vetëm në Shqipëri por dhe në të gjithë vendet e rajonit dhe Evropës. Jemi në monitorim me qëllim që të bëjmë të gjitha analizat e mundshme dhe ndërhyrjen që mund të bëhet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore