Lajme

Australia planifikon referendum për monarkinë


Vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II ka rindezur një debat në Australi.

Monarku i Mbretërisë së Bashkuar është kreu i shtetit, me qeverinë e Anthony Albanese që planifikon ta vendosë këtë çështje në votim.

E angazhuar për një referendum për “Zërin në Parlament” të indigjenëve të sanksionuar me Kushtetutë, qeveria planifikon të mbajë një votim të ngjashëm për të testuar dëshirën e australianëve për një republikë.

Ndihmësministri për Republikën e Australisë, Matt Thistlethwaite, ka treguar se teksa “përparësia për këtë qeveri është ‘Zëri në Parlament’, përparimi tjetër i natyrshëm është të kemi një nga tonët si kryetar shteti”.

Ai ka treguar se do të përpiqen ta bëjnë këtë në një mandat të dytë nëse i pari do të jetë i suksesshëm.

“Australianët kanë qenë gjithmonë të gatshëm të kërkojnë mënyra për të përmirësuar sistemin tonë të qeverisjes dhe për të përmirësuar vendin dhe kombin tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo është një mundësi që të ndërtohet një sistem i ri për të zgjedhur kreun e shtetit dhe në të njëjtën kohë për të përmirësuar të drejtat e qytetarëve në zgjedhje.

Por edhe për të forcuar demokracinë në vend.

Me një histori indigjene që shtrihet prapa më shumë se 60 mijë vjetësh, kontinenti i njohur tani si Australi u kolonizua në vitin 1788.

Megjithëse i pavarur politikisht, ka mbetur pjesë e monarkisë britanike.

Në sistemin aktual, monarku përfaqësohet në Australi nga guvernatori i përgjithshëm që luan një rol kryesisht ceremonial.

Megjithatë, guvernatorët e përgjithshëm ruajnë kompetencat kushtetuese dhe statutore, duke betuar ministrat dhe duke vepruar si komandant i përgjithshëm i Forcave të Mbrojtjes.

Gjithashtu kanë fuqinë të shpërndajnë parlamentin dhe të shkarkojnë kryeministrin, gjë që u bë më e diskutueshme në vitin 1975 kur u hoq Gough Whitlam.

Në shtator, vdekje e Mbretëreshës Elizabeth erdhi katër muaj pasi laburistët, mbështetës të gjatë të lëvizjes republikane, u zgjodhën në pushtet në Canberra.

“Vdekja e mbretëreshës na ofron tani një mundësi për të diskutuar atë që vjen më pas për Australinë”, ka thënë Thistlethwaite.

Sipas tij, tani Australia është një komb i pjekur dhe i pavarur.

“Ne marrim vendimet tona për mënyrën se si e qeverisim veten, marrëdhënia jonë ekonomike është e lidhur kryesisht me rajonin Azi-Paqësorit, marrëdhënia jonë e sigurisë bazohet në aleancën ANZUS. Ne nuk jemi më britanikë”, ka shtuar ai.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore