Lajme

Asnjë deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë


Bujanovc

Shqiptarët nuk do të kenë as një përfaqësues në legjislaturën e re të Kuvendit të Serbisë, pas zgjdhjeve të tre prillit.

Pjesëmarrja e ulët në daljes në zgjedhje llogaritet si një ndër shkaqet e këtij rezultati.

Kështu asnjëra nga dy listat zgjedhore të pakicës shqiptare nga jugu i Serbisë nuk e kaloi pragun, rrjedhimisht shqiptarët nuk do të kenë asnjë deputet të tyre në përbërjen e parlamentit të ri serb.

Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, kryetar i të cilit është Shaip Kamberi, ka fituar 9,630 vota ose 0.26 për qind.

Tri herë më pak vota ka fituar lista “Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, me gjithsej 3,250 sosh ose 0,09 për qind.

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, kur partitë shqiptare u bashkuan në një listë, në këto zgjedhje ishin dy para votuesve.

Sipas analistëve, me një pjesëmarrje kaq të ulët që mund të krahasohet me bojkot, ky rezultat ishte i pritshëm dhe partitë humbën mundësinë për të fituar potencialisht dy ose tri mandate parlamentare me listën e vetme.

Regjistrimi zyrtar i kryer nga shteti në vitin 2011 tregon se rreth 6,000 shqiptarë jetojnë në Serbi, por kjo nuk është një pasqyrë reale sepse shqiptarët në pjesën jugore të Serbisë e bojkotuan regjistrimin në atë kohë.

Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, rreth 60.000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare jetojnë në Serbi, kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Serbinë jugore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore