Shqipëria

Arrestohen 2 shtetas dhe shpallet në kërkim i treti, vodhën bizhuteri me vlerë rreth 150 mijë euro në Vlorë


Në Vlorë, Policia e Shtetit ka vënë në pranga dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim një të tretë, pasi ata kanë vjedhur bizhuteri me vlerë rreth 150 mijë euro në një banesë.

Në pranga kanë rënë Sotiraq Golemaj dhe Ylli Gerra, ndërsa është shpallur në kërkim Luan Hoxha.

Po ashtu janë sekuestruar bizhuteri me vlerë rreth 150 mijë euro, 2 automjetet e përdoruara për të kryer vjedhjen dhe 5 celularë.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Storm 4”, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit “S. G., 44 vjeç dhe Y. G., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. H., 30 vjeç, banues në Vlorë”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, duke vepruar në formën e grupit, janë autorë të dyshuar të vjedhjes së disa sendeve (bizhuteri floriri) me vlerë rreth 150 mijë euro, në një banesë në Vlorë, vjedhje e kryer më datë 21 mars të këtij viti.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjeve të tjera të sendeve me vlerë, në banesa, që më pas janë shitur prej tyre.

Sakaq, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas, si dhe për kapjen e shtetasit L. H.

Bizhuteritë e vjedhura, 2 automjetet që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjen dhe 5 celularë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore