Lajme

Apeli i Steve Bannon u refuzua: Ai duhet të shkojë në burg të hënën


Ish-këshilltari i Donald Trump, Steve Bannon, do të duhet të shkojë në burg deri të hënën, pasi Gjykata e Lartë refuzoi apelin e tij.

Humbi kështu përpjekja e minutës së fundit të Bannon për të shmangur një dënim me katër muaj për kundërshtimin e thirrjeve të komisionit të 6 janarit.

Bannon u dënua në Washington për dy akuza për shpërfillje të Kongresit gati dy vjet më parë, në korrik 2022, dhe u dënua me katër muaj burg në tetor 2022.

Gjykatësi i qarkut të SHBA-ve, Carl Nichols, e kishte pezulluar dënimin e tij gjatë kërkesës për apel, e cila u refuzua në Maj.

Nichols urdhëroi Bannon të paraqitej në burg deri më 1 korrik, duke thënë se nuk kishte bazë për të vazhduar shtyrjen e dënimit.

Bannon kishte refuzuar të dëshmonte para komisionit hetimor që po hedh dritë mbi sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kongresit.

Ideologu i krahut të djathtë, i cili nuk punonte më në Shtëpinë e Bardhë në atë kohë, ishte pjesë e një grupi këshilltarësh të Trump që kërkonin të prishnin certifikimin zyrtar të fitores së Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Sipas aktakuzës, Bannon ishte në dijeni të asaj që do të ndodhte më 6 janar.

Ish-drejtori i faqes së ekstremit të djathtë Breitbart, Bannon konsiderohet si krijuesi i fushatës elektorale që çoi në triumfin e Donald Trump në 2016: strategjia e tij ishte të fokusohej në mënyrë të vendosur në mesazhet kundër emigrantëve dhe në favor të proteksionizmit ekonomik.

Megjithatë, bashkëjetesa në Washington me presidentin zgjati vetëm një vit, pas së cilës Bannon u rrëzua.

Që atëherë ai filloi të shikonte me interes dhe të inkurajonte ngritjen e populizmit në Evropë dhe veçanërisht në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore