Lajme

“Antena M”: Serbia hartoi një plan për pushtimin e veriut të Kosovës – disa shtete mund ta pamundësojnë reagimin e KFOR-it


Ilustrim

Në një analizë të portalit malazez “Antena M” mbi atmosferën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht midis Kosovës dhe Serbisë, rreziku nga përshkallëzimi i tensioneve perceptohet të jetë real, gjithmonë duke u nisur nga grumbullimi i forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

“Në vijën e zjarrit është edhe Kosova. Grumbullimi i ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën u vu re nga shërbimet e inteligjencës dhe zbulimit të aleatëve të NATO-s, por edhe nga gazetarët dhe reporterët. E gjithë kjo mund të tregojë se plani për pushtimin e veriut të Kosovës tashmë është hartuar”.

Në analizën e gazetës malazeze përmendet sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, duke shprehur drojën se një episod i njëjtë mund të përsëritet sërish, veçanërisht nëse nuk i tërhiqet vërejtja Serbisë.

Duke analizuar zhvillimet gjeopolitike – zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në fund të vitit, por edhe numrin e madh të shteteve anëtare pro-serbe në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO – vlerësohet se në rast të pushtimit serb, reagimi i aleatëve do jetë i dobët.

“Vendet pro-serbe në NATO dhe BE mund të vonojnë reagimin. Gjithashtu, zgjedhjet e ardhshme në SHBA dhe paqëndrueshmëria e mundshme politike nëse [Donald] Trump ose [Joe] Biden refuzojnë të njohin rezultatet, mund të dobësojnë reagimin amerikan ndaj ngjarjeve të mundshme në Kosovë”, shkruan “Antena M” në artikullin: Ballkani Perëndimor në vijën e zjarrit.

Dhe një reagim i dobët amerikan, në bazë të analizës së portalit malazez, mund të çojë në tërheqjen e Forcës së NATO-s (KFOR) nga veriu i Kosovës për të mbrojtur pjesën tjetër të territorit të Kosovës. Serbia, përveç një pushtimi të hapur, mund ta destabilizojë Kosovën edhe duke dërguar njësi speciale dhe/ose formacione paramilitare e celula terroriste në Kosovë.

“Ata tashmë e provuan vjeshtën e kaluar dhe dështuan – mund të provojnë përsëri. Çdo përpjekje e tillë do të mbështetet në terren nga grupet e organizuara kriminale vendase, të cilat janë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente serbe dhe Kishën Ortodokse Serbe (KOS). Në Banjska, arsenali i armëve që rebelët donin të përdornin u gjet në manastirin e KOS-it”.

Prandaj, një ndryshim i qasjes ndaj Serbisë nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare do të jetë shumë i dobishëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, konstaton ndër të tjera portali malazez. “Duhet të vendosen ‘vija të kuqe’ të qarta, veçanërisht rreth mundësisë së një sulmi kundër Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore