Jetesë & Stil

Angelina Jolie publikon letrën e vajzës afgane që rrëfen tmerrin e realitetit aktual


Angelina Jolie - Aktore

Aktorja e famshme amerikane, Angelina Jolie, e njohur për veprimtaritë humaniste, së fundmi në llogarinë e saj të porsahapur të Instagram-it, ka ndarë me ndjekësit e saj një letër të cilën e ka pranuar nga një vajzë adoleshente në Afganistan.

Jolie, ka thënë se një nga arsyet kryesore se pse ajo ka filluar të shfaqet në rrjetet sociale është pikërisht letra në fjalë dhe gjendja aktuale e Afganistanit, teksa është zotuar se do të të bëjë të pamundurën që të luftojë për të drejtat njerëzore atje.

Viti 2001 – Angelina Jolie gjatë vizitës në Afganistan në kuadër të UNHCR-së.

“Kjo është një letër që më është dërguar nga një vajzë adoleshente në Afganistan. Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në mediat sociale dhe për t’u shprehur lirshëm”.

“Kështu që unë kam ardhur në Instagram për të ndarë historitë e tyre dhe zërat e atyre në të gjithë globin që po luftojnë për të drejtat e tyre themelore të njeriut”, ka shkrar Jolie.

Në letrën e shkruar, vajza tregon për vuajtjet me të cilat jo që po përballet vetëm ajo, por i gjithë populli afgan, të tilla si liria e lëvizjes, mësimi e studimi.

Fotografi e publikuar në Instagram nga Angelina Jolie.

“Ata kanë ardhur dhe ne të gjithë jemi të frikësuar. Ëndrrat tona janë përmbysur të drejtat tona as nuk diskutohen, ne nuk kemi mundësinë as të largohemi nga këtu”.

“Mësimet dhe studimet janë larg, ani pse shumë njerëz po thonë që talibanët kësaj herë kanë ndryshuar, por unë nuk po e besoj këtë. Ata kishin një të kaluar të tmerrshme”, ka shkruar mes tjerash, vajza afgane, identitetin e të cilës, Jolie, nuk e ka zbuluar.

Viti 2001- Angelina Jolie gjatë vizitës në Afganistan në kuadër të UNHCR-së.

Kjo letër i ka kujtuar Angelinës vizitën e saj të bërë në kufirin afgan, 20 vjet më parë.

“Unë isha në kufirin e Afganistanit dy javë para 11 shtatorit, ku takova refugjatët afganë që kishin ikur nga talebanët. Kjo ishte njëzet vjet më parë. Është e dhimbshme të shikosh afganët të zhvendosen përsëri nga frika dhe pasiguria që ka kapluar vendin e tyre”.

“Të shpenzosh kaq shumë kohë dhe para, të kesh derdhur gjak dhe jetë të humbura vetëm për të arritur në këtë, është një dështim pothuajse i pamundur për tu kuptuar”, ka shtuar ajo.

Viti 2001 – Angelina Jolie gjatë vizitës në Afganistan në kuadër të UNHCR-së.

Sipas, Jolie – “të shikosh për dekada se si refugjatët afganë, disa nga njerëzit më të aftë në botë trajtohen si një barrë është gjithashtu e sëmurë. Duke ditur që nëse do të kishin mjetet dhe respektin, sa shumë do të bënin për veten e tyre”.

Jolie ka thënë se do të mbështes afganët me çdo lloj mundësie të mundshme dhe njëjtë i ka ftuar të bëjnë edhe ndjekësit e saj në Instagram

Ndryshe, Angelina Jolie, për më pak se 3 ditë të plota ka grumbulluar mbi 7 milionë ndjekës në llogarinë e saj të porsahapur të Instagram-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore