Lajme

Ambasada Amerikane, Dodik-ut: I papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe i dëmshëm për integrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë ka deklaruar se “retorika separatiste” e presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik, dhe kërcënimet e tij për tu shkëputur nga BeH, përfaqësojnë veprime anti-Dejton (1995), dhe e cilësuan atë si të “papërgjegjshëm, rrezikshëm dhe të dëmshëm për integrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në institucionet euroatlantike”.

Përmes një njoftimi zyrtar për media, ambasada amerikane theksoi se “sipas Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës, as entiteti dhe asnjë njësi tjetër administrative më e ulët nuk ka të drejtë të shkëputet, dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të shikojnë me qetësi nëse Millorad Dodik punon për të nxitur një konflikt të ri në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Siç kanë bërë për 30 vjet, Shtetet e Bashkuara do të ngrihen për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërkaq, veprimet e Dodik-ut, ata i konsideruar si një përpjekje për të shmangur vëmendjen  e qytetarëve nga problemet reale që e karakterizojnë Republikën Srpska.

“Fushata e vazhdueshme nga autoritetet për të hequr liritë themelore, dështimi për të zgjidhur problemin e rritjes së ushqimit, akomodimit dhe transportit, çmimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për të rënduar të ardhmen e hipotekës në Republika Srpska përmes huamarrjes së papërgjegjshme nga qeveria”, thuhet aty.

Kërcënimeve të Dodik-ut për të ndërprerë bashkëpunimin me NATO-n, Ambasada e Shteteve të Bashkuara i kujtoi Presidentit të RS se “Ligji për Mbrojtjen e vitit 2005 i detyron autoritetet shtetërore të kryejnë aktivitete të nevojshme për anëtarësimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në NATO”.

“Kjo përfshin mbajtjen e një partneriteti dhe bashkëpunimi të fortë me NATO-n. Milorad Dodik nuk ka autoritetin për të pezulluar ose ndryshuar në mënyrë të njëanshme këtë apo ndonjë ligj tjetër”, nënvizoi ambasada amerikane në BeH.

Ndryshe, Dodik e quajti Bosnjën dhe Hercegovinën një “vend të dështuar”, duke thënë se një “luftë anti-koloniale” po zhvillohet në Republika Srpska.

Po ashtu, ai deklaroi se “Republika Srpska nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe do të pezullojë të gjitha aktivitetet e bashkëpunimit me Aleancën”.

“Të gjithë zyrtarët serbë në Bosnje dhe Hercegovinë po ndërpresin kontaktet me NATO-n”, tha ai.

Ndërsa, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë, kishte lëshuar një deklaratë për media edhe para disa ditësh, pasi që presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik, kishte mohuar përsëri gjenocidin në Srebrenicë, duke e cilësuar si të “turpëruar”, dhe se “po e vë në hipotekë të ardhmen e RS-së”.

“Komentet e vrazhda, plot paragjykime për Srebrenicën dhe tema të tjera të ndjeshme nuk i ndihmojnë qytetarët e Republikës Srpska”, theksuan nga ambasada e ShBA-së në BeH.

Në deklaratën e tyre ata i kujtuan Dodik-ut faktet që janë të vërtetuara kur bëhet fjalë për gjenocidin në Srebrenicë.

“Presidenti Dodik, si gjithmonë, e ka gabim kur pretendon se gjenocidi nuk ka ndodhur në Srebrenicë dhe përreth tij në korrik 1995. Faktet e kësaj tragjedie mbështeten nga prova të patëmetë mjekoligjore dhe prova të tjera dhe janë vërtetuar pa asnjë dyshim nga gjykatat ndërkombëtare: elementë të Ushtrisë së Republikës Srpska, nën komandën e Ratko Mlladiç dhe direktivën politike të Radovan Karaxhiç-it, kryen gjenocid, dhe ata janë kriminelë lufte”, potencoi Ambasada Amerikane.

Ndërkaq, ata nënvizuan se “për këtë dhe krime të tjera të luftës të kryera gjatë periudhës së agresionit kundër Bosnje e Hercegovinës, fajin e kanë autorët dhe jo një grup i vetëm etnik”.

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkura të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të “Republika Srpska”, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore