Lajme

Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve: Serbia të përmbahet nga mbështetja dhe inkurajimi i sulmeve të dhunshme kundër Kosovës


Ilustrim

Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), nëpërmjet një deklarate u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi të përmbahen nga mbështetja dhe inkurajimi i sulmeve të dhunshme kundër Kosovës dhe të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar e autoritetet në Kosovë për zbardhjen e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit.

“Byroja e ALDE-s shpreh shqetësimin e saj dhe u bën thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë plotësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës në hetimin dhe sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin e një grupi të madh të paramilitarëve serbë më 24 shtator në veri të Kosovës kundër patrullave të Policisë së Kosovës”.

Aty ndër të tjera thuhet se Serbia duhet të angazhohet plotësisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), duke e cilësuar parakusht për rrugën e mëtejme të Serbisë për anëtarësimin në familjen evropiane.

“ALDE beson fuqimisht se afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në do të ndihmojë në nxitjen e stabilitetit dhe sigurisë, prandaj ne i bëjmë thirrje BE-së të shtojë përpjekjet e saj dhe të sigurojë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përshpejtojë ritmin dhe jep përparim drejt reformave dhe normalizimit mes dy vendeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore