Lajme

Akuza për mashtrim/Pacientët me tumor nga Shqipëria trajtoheshin në Itali


Mashtrim maksimal në sistemin shëndetësor italian prej mbi 1 milion euro.

Në sajë të një mekanizmi, është  mundësuar trajtimi shëndetësor falas i 150 personave, të gjithë shqiptarë dhe kryesisht pacientë me tumor.

Ngjarja është nën hetim për akuzën “mashtrim në konkurrencë”, trajtim falas pa pasur të drejtë. Shumë prej tyre vinin në Itali vetëm për kurim.

Për karabinierët e komandës provinciale të Torinos, ishin tre shtetas që e krijuan këtë mekanizëm. Dy gra, shtetase shqiptare, ndërmjetësues kulturorë në qendrat ISI (Instituti Italian i Shëndetësisë), të Torinos dhe Provincës. Si dhe djali i njërit prej të dyve, një punonjës i agjencisë së të ardhurave.

Këtë mëngjes u morën masat për të tre dhe janë në dispozicion të gjyqtarit hetues. Njëra është në arrest shtëpie dhe tjetra me detyrimin për të firmosur, ndërkohë djali u pezullua nga puna.

Ata dyshohen se kanë krijuar një variant për të mashtruar sistemin shëndetësor kombëtar dhe për të lejuar bashkëatdhetarët të trajtohen.

Në praktikë, për hetuesit, ata kanë shfrytëzuar Nenin 35 të aktit të konsoliduar të imigracionit, i cili lejon qytetarët që nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe që gjenden brenda territorit italian pa dokumenta të rregullta qëndrimi, të trajtohen nga ana shëndetësore në rast pamundësie ekonomike. Nëse kriteret njihen, caktohet një kod identifikimi (Stp – i huaji i pranishëm përkohësisht) dhe ka qasje për trajtim në objektet publike.

Falë këtij rregulli, dy gratë, kur punonin, sipas hetuesisë, ftonin qytetarët të deklaronin një datë të rreme të hyrjes në Itali, prej më shumë se tre muajsh, si të parregullt. Ata gjithashtu, i ftonin ata të raportonin humbjen e dokumentit për të parandaluar gjetjen e tij tek të dhënat reale. Më në fund ishte shpallja e një deklarate false të indigjencës e cila lejonte hyrjen në programin Stp.

Djali i njërës prej grave kishte akses në bazën e të dhënave të Agjencisë së të Ardhurave dhe ishte përgjegjës për kryerjen e kontrolleve të pasurive tek përfituesit.

Një sistem që do të vazhdonte për muaj të tërë. Hetimet, të kryera midis shtatorit 2019 dhe tetorit 2020, nga karabinierët e njësisë hetimore të Torinos, bënë të mundur konstatimin se 152 shqiptarë kanë shfrytëzuar këtë sistem, të gjithë nën hetim, shumica prej të cilëve mbërritën në Itali me qëllimin e vetëm për t’u trajtuar falas.

Në total, 175 episode të mashtrimit u konstatuan për një dëm total prej mbi 1 milion eurosh. Akuza për të tre është, mashtrim i rëndë dhe hyrje e paautorizuar në bazën e të dhënave, për të cilën gjykatësi hetues në Torino ka urdhëruar masat me kërkesë të grupit të krimeve kundër administratës publike të Prokurorisë Publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore