Lajme

Ahmeti për opozitën: S’janë djem të këqij, por nuk dinë – s’qëndrojnë për meçe të forta


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherit lider i koalicionit “Fronti Evropian”, Ali Ahmeti, duke folur për opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut, përkatësisht koalicionin “VLEN”, ka thënë se s’janë djem të këqij, mirëpo, sipas tij, ata “nuk dinë”.

Këto komente, Ahmeti i ka bërë në fjalën e tij gjatë tubimit elektoral të “Frontit Evropian” në Kumanovë, ku kërkoi votën e qytetarëve të kësaj komune për kandidatin e koalicionit për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Për opozitën s’dua që të flasë shumë, sepse nuk janë djem të këqij, por nuk dinë”, tha Ahmeti. “Seriozisht”, insistoi, derisa përdori edhe pak ironi.

“Tani të komentojnë super ligën ata që janë në ligë lokale”, potencoi ai, duke iu referuar liderëve të “VLEN”-it, të cilët njihen më shumë si liderë lokalë.

“Bëjnë mirë që të mos merren me shpifje, me thashetheme, por le të dalin me platformë, me program, le të japin vërejtje mbi platformën, programin që ne e kemi”, shtoi.

Programi i “Frontit Evropian”, në vlerësimin e Ahmetit, “është i shkëlqyer”.

“[Programi] është i ndërtuar nga përfaqësuesit e koalicionit, dhe e dinë që të gjithë pa mëdyshje që është i përkryer”, shtoi.

Ahmeti tha se opozita e ka programin para vetes, dhe le të dalin të folin për të.

“Por, nuk janë për meçe të forta”, beson Ahmeti.

Sa i përket kundërkanidatit në taborin shqiptar për president nga radhët e “VLEN”-it, Arben Taravari, është doktor, por sipas Ahmetit, “politikan jo”.

“Nuk krahasohet Bujar Osmani me Arben Taravarin si kandidat. Të drejtosh Ministrinë e Jashtme, të dekorohesh dhe të falënderohesh nga shtetet më të mëdha të botës për menaxhim të suksesshëm të globit me OSBE-në, ka menaxhuar me sukses marrëveshjen për fqinjësi të mirë, ka dhënë një kontribut të madh në ndryshimin e emrit”, potencoi, derisa sa i përket Taravarit, ai ka thënë se i njëjti ka qenë deri te komuna.

“Kështu që më 24 prill të angazhohemi shpi në shpi, njeri në njeri të votohet Bujar Osmani”, potencoi ai ndër të tjera.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë, nga 7 sa janë pretendent gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër është Arben Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Albin Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore