Lajme

Administrata Biden publikon Strategjinë Kundër Korrupsionit – Cilat janë 5 shtyllat kyçe?


Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, të hënën e 6 dhjetorit, ka publikuar Strategjinë e parë të Shteteve të Bashkuara Kundër Korrupsionit.

Sipas saj, përshkruhet qasja e qeverisë për luftën kundër korrupsionit, duke marrë hapa shtesë në reduktimin e aftësive të aktorëve të korruptuar që përdorin sistemet financiare të SHBA-ve dhe ato ndërkombëtare, për të fshehur pasuritë dhe për të pastruar të ardhurat e akteve korruptive.

“Efektet e dëmshme të korrupsionit ndikojnë pothuajse në të gjitha aspektet e shoqërisë”, shkruhet në hyrje të publikimit.

Administrata Biden shkruan se, korrupsioni “përkeqëson pabarazinë dhe polarizimin social, politik dhe ekonomik”. Po ashtu, “pengon aftësinë e shteteve për t’iu përgjigjur krizave të shëndetit publik, ose për të ofruar arsim cilësor”.

Gjithashtu ndikon dhe në degradimin e mjedisit të biznesit dhe mundësitë ekonomike, si dhe nxit konfliktin dhe vë në rrezik besimin në qeveri.

Për të udhëhequr zbatimin e këtyre politikave, Strategjia tregon “luftën e qeverisë amerikane ndaj korrupsionit, në pesë shtylla kyçe”.

Pesë shtyllat e Strategjisë

Për të udhëhequr zbatimin, Strategjia organizon përpjekjet e Qeverisë së SHBA-ve për të luftuar korrupsionin nën pesë shtylla që përforcojnë njëra-tjetrën:

Modernizimi, koordinimi dhe sigurimi i burimeve të qeverisë amerikane për të luftuar korrupsionin, ka qenë e para e listuar në Strategjinë e Biden Kundër Korrupsionit.

Kurse, frenimi i financimeve të paligjshme, ku aktorët e korruptuar mbështeten në dobësitë e Shteteve të Bashkuara dhe sistemet financiare ndërkombëtare për të “dëmtuar” pronësinë e aseteve, si dhe për të pastruar të ardhurat e aktiviteteve të tyre të paligjshme, renditet e dyta.

Mbajtja e përgjegjësive të aktorëve të korruptuar është shtylla e tretë që Strategjia trajton. Ndërsa qeveria e SHBA-ve mbulon boshllëqet rregullatore dhe punon me partnerët e aleatët, për të bërë të njëjtën gjë, gjithashtu mban përgjegjësi për ata që zgjedhin të përfshihen në korrupsion.

Ruajtja dhe forcimi i strukturës shumëpalësh në luftën kundër korrupsionit vijon të mbetet në fokus të qeverisë amerikane.

Edhe përmirësimi i angazhimit diplomatik dhe shfrytëzimi i burimeve të ndihmës së huaj për të arritur qëllimet e politikës kundër korrupsionit, ishte një ndër shtyllat e analizuar në përpjekje për të goditur korrupsionin.

Strategjia e Shteteve të Bashkuara Kundër Korrupsionit shënon një kapitull të ri në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të frenuar efektet e dëmshme të korrupsionit.

Meqenëse përgjegjshmëria është jetike, departamentet dhe agjencitë federale do t’i raportojnë çdo vit Presidentit mbi përparimin e bërë kundër objektivave të Strategjisë.

Yuri Kim: Korrupsioni është kancer

Pas publikimit të kësaj strategjie, ka reaguar dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.

Me togfjalëshin “Korrupsioni është kancer”, Kim shkruan në median sociale Twitter se, “SHBA-të po ndërmarrin hapa të mëtejshme për të parandaluar korrupsionin, luftuar financimin e paligjshëm dhe për t’i bërë përgjegjës aktorët e korruptuar.

Gjithashtu, për të forcuar kapacitetin dhe ekspozuar aktet korruptive.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore