Lajme

A mund t’i jap fund pandemisë Izraeli?


Që prej një viti e gjysëm, Izraeli ka luftuar katër valë të COVID-19 dhe ka dëshmuar vdekjen e më shumë se 8 mijё njerëzve nga virusi.

Ai gjithashtu ka vaksinuar mbi 6 milionë njerëz, 4 milionë prej të cilëve kanë marrë gjithashtu një dozё përforcuese.

Izraelitët ndihen më të lehtësuar në fundin e valës së katërt, ashtu siç u ndien edhe pasi valët e mëparshme u zbehën, por gjithsesi kanë vendosur të qëndrojnë skeptik përpara së ardhmes.

“Ne nuk po çmontojmë asgjë, as dhomat e kontrollit, as programin e shtëpisë së pleqve apo objektet e testimit në aeroportin Ben-Gurion, as procesin e gjurmimit dhe sistemet e tjera”, tha ministri i Shëndetësisë, Nitzan Horowitz, për të përditëshmen “Haaretz” këtë javë, duke lënë të kuptohet se qeveria e mëparshme zvogëloi para kohe masat e lidhura me pandeminë.

“Shkalla e infeksionit është në rënie, por asgjë nuk ka mbaruar. Jemi ende në një pandemi globale”, shtoi ai.

Hapat e mёtejshёm qё do tё ndjek Izraeli?

Ekspertët pajtohen se për sa kohë sa virusi vazhdon tё pёrhapet në të gjithë botën, Izraeli do të përballet ende me një kërcënim tё tij.

Sipas tyre, padyshim që ekziston mundësia e njё vale të pestë dhe sistemi shëndetësor po e merr parasysh.

Një valë e pestë e mundshme

Një skenar i paraqitur para zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë rreth një javë më parë, flet për mundësinë e një vale të pestë brenda tre deri në gjashtë muaj.

Ata bazohen në supozimin se doza e tretë do të zbehet në të njëjtën mënyrë si doza e dytë.

Në rrethana të tilla, që supozojnë prevalencën e variantit Delta, vlera mbrojtëse e vaksinës do të binte në rreth 30%, duke nxitur një valë të re me një shkallë vdekjeje të parashikuar tre herë më të madhe se ajo e valës së katërt.

Një valë e tillë mund të kushtojë rreth 5 mijë jetë derisa Izraeli të sigurojë me shpejtësi një dozë të katërt vaksine për popullatën.

Kjo situatë ka ngritur një pyetje thelbësore lidhur me vaksinimin e fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç.

Ekspertët besojnë në qasjen e miratimit të vaksinës për fëmijët, por gjithashtu sugjerojnë që të pritet një rekomandim gjithëpërfshirës dhe të mos aplikohet një fushate vaksinimi agresive, e cila mund të largoj besimin e publikut.

Po ashtu, ekziston një konsensus i gjerë mes ekspertëve, se Izraeli i nëntorit 2021 nuk është ai i marsit 2020.

Vaksina, medikamentet efektive si kokteji i antitrupave Regeneron, si dhe 1.3 milionë raste të konfirmuara të infeksionit, i jep Izraelit shumë më tepër liri veprimi për të marrë rreziqe dhe për t’u përgjigjur shpejt kur është e nevojshme.

Ardhja e variantit Delta dhe vala e katërt që u shpërnda në mes të fushatës së vaksinimit, i kushtoi Izraelit 1 mijë e 600 jetë.

Politika e vaksinimit

Dhjetë muaj pasi Izraeli filloi të administroj vaksinat, efikasiteti i tyre i lartë u vërtetua në studime të pafundme, pavarësisht nëse ato ekzaminojnë nivelet e antitrupave, transmetimin e virusit, simptomat, sëmundjet e rënda apo vdekshmërinë.

“Megjithatë zvogëlimi i efektivitetit të vaksinës pas disa muajsh, i zbuluar gjatë valës së katërt dhe nevoja për një injeksion përforcues, lënë disa pyetje të pazgjidhura për të ardhmen. Koha e vendimeve për politikat e vaksinave dhe shpërndarja e burimeve në vendet e duhura luajn rol të rëndësishëm”, thotë Eyal Leshem, ekspert i sëmundjeve infektive dhe drejtor i Qendrës për Mjekësinë e Udhëtimit dhe Sëmundjet Tropikale në Qendrën Mjekësore Sheba në Izrael.

Sipas tij, një gabim i madh që Izraeli bëri lidhur me vaksinimin ishte se një grup shumë i madh i njerëzve, rreth 1.4 milionë izraelitë, u lanë të pavaksinuar gjatë valës së mëparshme.

Ne vaksinuam 750 mijë prej tyre gjatë valës së katërt, por u desh shumë kohë. Fakti që shumë nga këta njerëz u vaksinuan gjatë kësaj vale tregon se ne nuk bëmë mjaftueshëm për t’i arritur ata gjatë valëve të mëparshme.

Një tjetër ekspert në panelin këshillues të Ministrisë së Shëndetësisë tha se, vendimi për të dhënë dozën përforcuese ishte i saktë, i guximshëm dhe relativisht i shpejtë, por ai shtoi gjithashtu se duhej të ishte marrë më herët.

Trajtimi i pacientëve

Mënyra për të trajtuar njerëzit me COVID-19 në fazat e ndryshme u mësua gjatë rrugës.

Janë provuar medikamente dhe qasje të ndryshme lidhur me ventilimin. Diskursi profesional midis mjekëve që trajtonin COVID-19 në Izrael zakonisht zhvillohej joformalisht, shpesh përmes grupeve nëpërmjet mesazheve në platformën  “WhatsApp”, duke aplikuar qasje dhe trajtime të ndryshme.

Deri kohët e fundit ka munguar trajtimi medikamentoz për pacientët me COVID-19. Mjekët mund të trajtonin vetëm simptoma të ndryshme të shkaktuara nga sëmundja dhe nuk ishin në gjendje të luftonin vetë virusin.

Ilaçi “Regeneron” i vënë në përdorim kohët e fundit ishte ilaçi i parë i rëndësishëm i përcaktuar për COVID-19. Ai ul deri në 70% nevojën për shtrimin në spital.

Megjithatë, disavantazhet e tij kryesore si, përdorimi brenda 72 orëve nga shfaqja e simptomave dhe administrimi në mënyrë intravenoze nuk dhanë shumë shpresa për një luftë të mundshme të ashpër ndaj COVID-19.

Një ila

Një ilaç tjetër i zbuluar së fundmi, “Molnupiravir” nga Merck, redukton mundësinë e sëmundjes së rëndë me 89% pritet të përmirësojë ndjeshëm situatën.

Avantazhi i madh i këtyre barnave, përtej efikasitetit të tyre, është gjithashtu se mund të merren në formë pilule.

Sipas Dror Mevurach, kreut të njësisë së COVID-19 në Hadassah Ein Kerem, “drogat e reja janë revolucionare dhe padyshim mund të reduktojnë shtrimet në spital në valën e ardhshme”.

Në përgatitjen për një valë tjetër të mundshme, Noa Eliakim-Raz, drejtor i repartit të coronavirusit të Spitalit Beilinson tha se Izraeli “duhet të shfrytëzojë qetësinë në mënyrë që të forcojë shërbimet shëndetësore.

Ajo shtoi se në funksion të literaturës që vazhdon të rritet me ritme marramendëse, Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojë një organ profesional i cili do të duhet të përditësohet vazhdimisht me artikujt mbi trajtimet e COVID-19, si dhe do të informojë rregullisht repartet e coronavirusit lidhur me protokollet e trajtimit.

Një tjetër çështje që duhet të marr vëmendje urgjente është rraskapitja fizike dhe mendore e ekipeve mjekësore.

Fëmijët dhe sistemi arsimor

Funksionimi i shkollave dhe popullsia e fëmijëve të pavaksinuar të ekspozuar ndaj virusit mbetet një nga çështjet kryesore në betejën e Izraelit me pandeminë.

“Deri më tani nuk është bërë asnjë analizë serioze mbi këtë temë. Gjëja më domethënëse që mund të sjellë një ndryshim përpara valës së ardhshme është me sa duket vaksinimi, por tani që shkalla e infeksionit është zvogëluar, nuk është ende e qartë nëse vaksinimet do të duhet të bëhen menjëherë”, tha një anëtar i panelit këshillues.

Vaksinimi ka shtuar një shtresë tjetër të rëndësishme mbrojtjeje, krahas testimit dhe renditjes, por të gjithë profesionistët e kuptojnë se nuk ka asnjë mënyrë hermetike për të mbajtur jashtë variantet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore