Lajme

A ka Irani bombë atomike – Në çfarë faze është programi bërthamor


Në fund, Izraeli nuk sulmoi asnjë qendër bërthamore iraniane.

Por vetëm dje, Republika Islamike, përmes zërit të gjeneralit, Ahmad Haq Talab, komandant i organit të mbrojtjes dhe sigurisë së qendrave bërthamore iraniane, tha: Vendi ynë është i gatshëm të përballet me çdo kërcënim nga regjimi sionist.

Pak ditë më parë, qeveria iraniane bëri një deklaratë edhe më serioze: Ne jemi gati të përdorim armë që nuk i kemi përdorur kurrë më parë për të përballuar ndonjë përshkallëzim të mundshëm nga Izraeli.

Me zhvillimet e krizës së Lindjes së Mesme, frika e një konflikti bërthamor dhe, për rrjedhojë, pyetjet në lidhje me programin iranian janë sërish qendrore.

Italiania “Corriere Della Sera” për këtë temë ka realizuar një intervistë me Saeid Golkar, një profesor i lindur në Teheran dhe ekspert i historisë dhe strategjisë ushtarake iraniane.

Intervista e plotë e përshtatur për Albanian Post 

Në cilën pikë është Irani me fuqi bërthamore?

Kohët e fundit, inspektorët ndërkombëtarë kanë parë prodhim shumë më të shpejtë të uraniumit të pasuruar.

Mund të them me siguri se Irani nuk ka qenë kurrë më afër se tani – drejt posedimit të një arme të tillë.

Megjithatë, Irani deklaron se nuk ka ndërmend të ndërtojë armë bërthamore, por të përdorë energjinë bërthamore për qëllime paqësore (mjekësore dhe energjetike)

Kështu kanë thënë gjithmonë, por ajatollahët gënjejnë.

Pasi Trump përfundoi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 në 2018, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka shumë më pak kontroll mbi atë që regjimi po bën me energjinë bërthamore.

Dhe gjatë viteve, si CIA ashtu edhe Mossad kanë mbledhur mijëra dokumente që vërtetojnë sesi qeveria iraniane ka përshpejtuar pasurimin e uraniumit.

IAEA zbuloi uranium të pasuruar në pastërtinë 83.7%, pjesë e marrëveshjes së vitit 2015, e cila përcaktonte që Irani mund të pasuronte uranium deri në 5%, një përqindje e nevojshme për termocentralet.

Sa kohë do t’i duhet Iranit për të ndërtuar armë bërthamore?

Vitin e kaluar, inspektorët ndërkombëtarë raportuan se Irani tashmë kishte materiale të mjaftueshme për të prodhuar tre bomba bërthamore.

Nuk është e lehtë të japësh vlerësime të sakta për kohën, sepse shumë varet nga mjetet teknologjike që ata kanë për prodhimin e këtyre armëve dhe, po e përsëris, askush nuk e di se si janë gjërat brenda vendit.

Por, përsëri sipas vlerësimeve, mund të duhen disa javë për të krijuar një pajisje bërthamore që ne mund ta përkufizojmë si të papërpunuar.

Për sa i përket krijimit të një koke bërthamore të lëshuar nga një raketë, ne po flasim për një kohë më të gjatë: një ose dy vjet. Por të gjitha janë vlerësime.

Nëse Irani shpall se ka armë bërthamore, cila mund të jetë e ardhmja e konfliktit?

Unë nuk mendoj se do të shohim një luftë bërthamore midis Izraelit dhe Iranit.

Por kjo sigurisht u jep fuqi politike që do të ushtronin një politikë të jashtme edhe më agresive se ajo që po shohim sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore