![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/06/haradinaj-rutte.jpg)
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, uroi kryeministrin aktual të Holandës, Mark Rutte, i cili nga tetori i këtij viti do të marrë drejtimin e NATO-s. Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, vlerësoi lidershipin e Ruttes, derisa theksoi se Kosova është e përkushtuar të anëtarësohet në aleancën ushtarake.
“ Përvoja e tij e gjatë politike e diplomatike, është garancë për nië udhëheqje të suksesshme të Aleancës së NATO-s. Duke qenë kryeministër i Holandës, Rutte ka qenë një prej mbështetësve të mëdhenj të proceseve demokratike në Kosovë. Shpresojmë se ai do të jetë një zë i fuqishëm në mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në NATO”, shtoi Haradinaj.
Emërimi i Ruttes në krye të NATO-s vjen në një moment kritik për sigurinë kontinentale ndërsa Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës. Ai do ta pasojë Jens Stoltenbergun, i cili e mbajti pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që nga viti 2014. Stoltenberg deklaroi gjatë ditës se NATO do të jetë në “duar të sigurta” nën lidershipin e fuqishëm transatlantik të Ruttes.
Rutte, në përgjithësi, konsiderohet të jetë një ndër mbështetësit më të mëdhenj të synimeve transatlantike të Kosovës. E vizitën e fundit në Kosovë, shefi i ri i NATO-s e realizoi vitin e kaluar, në kulmin e tensioneve Kosovë-Serbi, si sinjal për angazhimin e palëkundur për sigurinë e Kosovës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com