![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/06/vuc.jpg)
I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është dakorduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për hapat e ardhshëm në dialog.
Këto komente, Lajçak i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pas takimit që ka pasur me Vuçiç-in të mërkurën në Beograd.
“Në Beograd, pata një diskutim të hapur me presidentin Vuçiç për gjendjen aktuale të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e ardhshëm për periudhën e ardhshme”, shkroi diplomati sllovak.
In Belgrade, I had an open discussion with @predsednikrs @avucic on the current state of play in the Dialogue. We agreed on next steps for the coming period. pic.twitter.com/j4vYFBMBLU
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 19, 2024
Edhe Vuçiç e ka konsideruar “bisedë të hapur dhe korrekte” takimin me Lajçak-un, derisa ka propaganduar për situatën e serbëve në Kosovë.
“Biseduam për situatën në Kosovë dhe kushtet pothuajse të pamundura për jetën e popullatës serbe, të shkaktuara nga presioni i vazhdueshëm dhe arbitrariteti i pushtetit në Prishtinë”, shkroi kreu serb në Facebook.
Ai ka potencuar se kthimi në dialogun konstruktiv ndërmjet Kosovës Serbisë dhe normalizimi i marrëdhënieve qëndron para së gjithash në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, “apo në formimin urgjent të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
BE-ja, si ndërmjetësues kryesor në këtë proces, sipas Vuçiç-it, “ka pasur dhe do të ketë një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi dhe për popullin tonë në Kosovë ne mbetemi mbështetje dhe mbrojtje e pakompromis e vatrave dhe të ardhmes së tyre”.
Kjo vizitë e diplomatit sllovak në Beograd, vjen pas asaj që kishte të martën në Kosovë, ku u takua me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com