![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/06/441440435_786774843581250_3547862915759044758_n.jpg)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në shtëpinë muze të profesorit Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, ka deklaruar se e vërteta për të ndodhet në arkivat e Beogradit.
“E vërteta për profesor Ukshin Hotin me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit”, ka thënë Kurti.
Duke shtuar se, “ata që janë fajtorë, ata që janë përgjegjës, ata e kanë edhe arkivin e zhdukjes së profesor Ukshin Hotit”.
Në komunikatën e kryeministrisë thuhet se Kurti shprehu nderimet e mirënjohjen më të thellë për jetën dhe veprën e Hotit.
“Ashtu qysh rikthehemi në Krushë të Madhe për çdo ditëlindje dhe sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve, gjithashtu e rilexojmë veprën e bacës Ukë, sepse ajo është përherë aktuale dhe flet për kohën tonë jo më pak se sa për kohën kur ai shkroi, studioi, punoi, jetoi e veproi”, thuhet në njoftim.
I pari i shtetit ka përmendur edhe komisionin dhe punën që do të bëhet për veprimtarinë e Ukshin Hotit.
“Tashmë e kemi një Komision me vendim të Qeverisë, që do ta bëjë ribotimin e veprës së plotë të Ukshin Hotit, dhe njëkohësisht do të botojë edhe tekste, dokumente të pabotuara deri më tani, duke rikujtuar që një pjesë e konsiderueshme e teksteve janë djegur atëherë kur është djegur kjo shtëpi e cila sot është Shtëpi Muze”.
Që nga 16 maji i 1999-ës, nuk dihet asgjë për fatin e profesorit Ukshin Hotit.
Filozofi, profesori universitar, aktivisti i madh politik, zëri i ndërgjegjes shqiptare, Ukshin Hoti, u zhduk pas lirimit të tij nga burgu i Dubravës, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim pesë vjeçar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com