![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/02/merdare.jpg)
Shoqata e Serbëve të Zhvendosur të Kosovës njoftoi se të hënën (5 shkurt) nga ora 12:00 deri në ora 15:00 do të bllokojnë rrugët që lidhin Kosovën dhe Serbinë “për të gjitha automjetet që drejtohen nga shqiptarët” që kalojnë përmes pikëkalimit kufitar Kosovë-Serbis në Merdarë, drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe Suboticës, gjegjësisht në mbarë territorin serb.
“Rrugët do të jetë të bllokuara çdo të hënë për tre orë nga ora 12:00 deri në ora 15:00 derisa të ndalet terrori i përditshëm ndaj popullit serb në Kosovë. Terrori që po përjeton populli serb dhe populli tjetër joshqiptar është bërë i padurueshëm dhe është shumë afër një konflikti me pasoja të pallogaritshme”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Serbëve të Zhvendosur.
Bllokimi i rrugëve që çojnë në drejtim të Kosovës vjen pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet të cilës synohet ndalimi i qarkullimit të dinarit serb në territorin kosovar. Shumë paralajmëruan se çështja e dinarit mund të nxisë ripërtëritjen e konfliktit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, sikurse për targat.
Ndryshe, serbët e veriut, nëpërmjet automjeteve të rënda, ekskavatorëve dhe automjete private, bllokuan rrugët që të çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak – në dhjetor të vitit 2022. Në nëntë lokacione të ndryshme rrugët u barrikaduan nga strukturat paralele serbe duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com