Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë në Kallxo se anëtari i ekipit negociator të Serbisë në dialog, Velko Odaloviç, nuk po merr pjesë në takimet mes dy delegacioneve në kryeqytetin evropian.
“BE e fton vetëm Petkoviçin, ai e cakton ekipin e tij. Odaloviç ka ardhur në Bruksel, por ka ndenjur në korridore”, tha Bislimi.
“Odaloviç nuk është pjesë e asnjë takimi ku jemi ne. Ne nuk kemi thënë që kemi probleme me përfaqësuesin e Serbisë, kemi probleme me personin Odaloviq, për të kaluarën e tij”, theksoi ai.
Bislimi potencoi se “Bashkimi Evropian e ka vendosur Odaloviçin në listën e kuqe të personave apo të zezë, të personave që nuk mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së”.
Ai ka përmendur edhe disa pretendime të tjera që, sipas tij, Odaloviçin e bëjnë jokredibil për të qenë pjesë e delegacionit në dialogun Kosovë-Serbi.
“Nuk kanë qenë të informuar mbi funksionet që ka qenë Odaloviç në vitet 1997-1999, nuk kanë qenë të informuar për faktin se Odaloviç ka qenë në listën e hetimeve nga administrata ndërkombëtare në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe arsyet që kanë quar në pushimin e hetimeve ndaj tij. Nuk kanë qenë të informuar edhe me manipulimet e tokave që Odaloviç i ka bërë”.
Ndryshe më 15 qershor të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte kërkuar që “për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviç, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviç”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com