Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Aleksandër Grushko e quajti aktin e dëbimit të diplomatit rus “një provokim”, si dhe deklaroi që ky “hap jomiqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”.
Sipas tij, veprimi në fjalë ka përkeqësuar marrëdhëniet shqiptaro-ruse.
“Një nga parimet themelore në diplomaci është reciprociteti, dhe askush nuk e ka hequr atë”, ka shkruar ndër të tjera Aleksandër Grushko.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme shpalli Alexey Krivosheev person non grata dhe kërkoi largimin e tij brenda 72 orësh nga Shqipëria. Diplomati akuzohet se ka shkelur disa herë masat anti-Covid 19, pavarësisht ankesave dhe paralajmërimeve.
Sipas ambasadës pretendimet dhe akuzat janë të pabaza dhe të trilluara. Ambasada deklaroi se asnjëhere nuk është thirrur për pretendimet dhe sjelljen e diplomatit.
Gjithashtu ajo shprehu dhe shqetësimin e saj për sigurinë e diplomatit, emri i të cilit është bërë publik. Sipas praktikës diplomatike ndërkombëtare, emrat e zyrtarëve të diplomacisë non grata nuk duhet të bëhen publik derisa punonjësi të largohet nga vendi pritës./AlbanianPost.com
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com