Shqipëria

98.5% e ndërmarrjeve shqiptare, pro-teknologji


Ndërmarrjet duket se i kanë qëndruar besnike përdorimit të teknologjisë.

Nga viti i kaluar, kur teknologjia ka qenë domosdoshmëri për mbarëvajtjen e procesit të punës, ndryshimet në përqindje thuajse janë të papërfillshme.

Këtë e vërteton një raport i fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), i cili dallon se në vitin 2021, ndërmarrjet me 10 e më shumë të punësuar që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune, përfaqësojnë 98.5 për qind të ndërmarrjeve ekonomike.

Kjo krahasuar me përqindjen e përafërt prej 98.3 për qind që ishte në vitin 2020.

Ndërkaq, të punësuarit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune përbëjnë 27.8 për qind të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, nga 27.2 për qind në vitin paraardhës.

Përqindja më e lartë e tyre vërehet në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 75.2 për qind, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 62.7 për qind.

Përqindja e të punësuarveqë përdorinkompjuternë ndërmarrje sipas aktivitetit ekonomik (%),2021

Nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter për qëllime pune në vitin 2021, 98.4 për qind e tyre kanë qasje në internet nga 98.3 për qind në vitin 2020. Dhe të punësuarit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune me qasje në internet përbëjnë 26.2 për qind të të punësuarve gjithsej.

Referuar INSTAT, ndërmarrjet me mbi 250 të punësuar përdorin 100 për qind kompjuter me qasje në internet. Në këto ndërmarrje, 29.9 për qind e të punësuarve përdorin kompjuter me qasje në internet.

Këtë vit, 98.1 për qind e ndërmarrjeve ka përdorur lidhje fikse në internet, e cila përfshin lidhjet e tipit ADSL, SDSL, VDSL, fibër optike (FTTP) apo teknologji kabllore. Përqindja e ndërmarrjeve që kanë patur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 10 Mbit/s është 90.5 për qind nga 79.8 që ishte vitin e kaluar.

Përdorimi i internetit në ndërmarrje sipas madhësisë së ndërmarrjes(%),2021

Kurse faqja e internetit është përdorur nga 45.0 për qind e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me qasje në internet nga 44.6 për qind që ishte në vitin 2020.

Raporti nxjerr se në 92.8 për qind të ndërmarrjeve, faqja e internetit është përdorur për të shfaqur katalogët e produkteve ose çmimet e tyre, 38.3 për qind e kanë përdorur për marrjen e porosive, rezervimeve apo pronotimeve online dhe 42.2 për qind e ndërmarrjeve e kanë përdorur për referencë në profilet e medias sociale të tyre.

Shpejtësia maksimale për shkarkim dokumentash(%),2021

Ndërsa 13.3 për qind e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve.

INSTAT veçon se peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 32.2 për qind, pasuar nga akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit me 29.0 për qind dhe shërbime administrative dhe mbështetëse me 26.1 për qind.

Përqindja e ndërmarrjeve që kanë faqe interneti, sipas aktivitetit ekonomik (%), 2021

Në vitin 2021, ndarja automatike e informacionit brenda ndërmarrjes, e cila përdoret për planifikimin dhe menaxhimin e burimeve të ndërmarrjes, duke ndarë informacionin midis fushave të ndryshme funksionale është përdorur nga 35.8 për qind e ndërmarrjeve nga 35.1 për qind që rezultoi në vitin 2020.

Përdorimi i software-it për menaxhimin e marrëdhënieve me klientët (CRM) është përdorur nga 24.8 për qind e ndërmarrjeve gjatë vitit 2021 nga 22.5 për qind që rezultoi në vitin 2020.

Shërbimet cloud, të cilat i referohen shërbimeve që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike apo kapicitete ruajtëse, janë përdorur nga 20.7 për qind e ndërmarrjeve që kanë qasje në internet nga 18.2 për qind që rezultoi në vitin 2020.

Shitjet on-line nëpërmjet faqeve të internetit/aplikacioneve sipas aktivitetit ekonomik(%),2021

Printimi 3D, i cili i referohet përdorimit të printerave të veçantë nga ndërmarrjet ose përdorimi i shërbimeve të printimit 3D të ofruara nga ndërmarrjet e tjera me qëllim krijimin e objekteve fizike tre-dimensionale duke përdorur teknologjinë digjitale, është përdorur nga 6.0 për qind e ndërmarrjeve gjatë vitit 2021, nga 5.5 për qind që rezultoi në vitin paraardhës.

Nga ana tjetër, media sociale (Facebook, Linkedln,Twiter, Youtube, Twiter, Pinterest) është përdorur nga 69.0 për qind e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me qasje në internet, nga 66.6 për qind që ishte në vitin 2020.

Interneti i gjërave (pajisje ose sisteme të ndërlidhura, shpesh të quajtura pajisje ose sisteme “të mençura”) është përdorur nga 36.4 për qind e ndërmarrjeve.

Përdorimi i medias sociale në ndërmarrje sipas madhësisë së ndërmarrjes (%), 2021

Për vitin 2020, INSTAT nxjerr se si pasojë e pandemisë COVID-19, 27.6 për qind e ndërmarrjeve rritën numrin e takimeve në distancë të kryera nëpërmjet Skype, Zoom ose MS Teams.

Ndërkohë, 19.2 për qind e ndërmarrjeve rritën numrin e personave të punësuar që kanë akses në distancë në sistemin e postës elektronike të ndërmarrjes dhe 13.5 për qind e ndërmarrjeve rritën numrin e personave të punësuar që kanë qasje në distancë në sistemet e TIK-ut të ndërmarrjes përveç postës elektronike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore