Kosova

33 vjet nga suprimimi i autonomisë së Kosovës


Kuvendi i Kosoves, 23 Mars 1989

Serbia, ndaj Kosovës dhe shqiptarëve ka pasur dhe vazhdon të ketë dy qëllime kryesore: Grabitjen e pasurisë së saj dhe zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët.

Në datën e sotme, 33 vite më parë, më 23 Mars 1989, Serbia me trysninë e tankeve të ushtrisë jugosllave dhe terrorin e tejskajshëm të policisë, suprimoi autonominë e Kosovës të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974 me të cilën shqiptarët kishin fituar statusin më të lartë politik e juridik deri atëherë në kuadër të federatës jugosllave.

Ky status iu garantonte shqiptarëve të Kosovës, si shumicë absolute, një autonomi të lartë dhe statusin e njësisë federale, njësoj si njësitë tjera përbërëse të saj.

Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë.

Nga 190 delegatët e pranishëm në Kuvend, 10 prej tyre, edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, kishin votuar kundër këtij suprimimi, e në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

Nën masat e “gjendjes së jashtëzakonshme” në të cilat gjendej Kosova, një masë e cila ishte vendosur nga organet më të larta partiake e shtetërore jugosllave, pas grevës historike të minatorëve dhe protestave masive të shqiptarëve në mbrojtje të kushtetutës, Kuvendi i Kosovës më 23 Mars 1989, me shumë parregullsi procedurale e përmbajtësore, miratoi amandamentet kushtetuese të Kushtetutës së Serbisë.

Me këtë akt, dhe me miratimin e amandamenteve edhe nga Kuvendi i Serbisë, de facto dhe de iure Serbia okupoi Kosovën.

Shqiptarët, u ngritën në demonstrata të fuqishme kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe në mbrojtje të të drejtave e lirive kombëtare. Protestat u shtypën në mënyrën më barabare nga policia federative duke vrarë 21 shqiptarë, shumica e tyre të rinj nën moshën madhore, madje edhe fëmijë.

Derisa Kosova dhe shqiptarët po përjetonim tmerr të shumëfishtë, republikat tjera po bënin sehir. Bota demokratike perëndimore, për herë të parë e pa sheshazi se si po shtypej një popull sepse donte barazi e liri si gjithë popujt tjerë.

Me këto ndryshime kushtetuese dhe okupimin e Kosovës, Serbia në krye me Millosheviçin, arriti kulmin e fillimit të politikës hegjemoniste pasojat e së cilës i përjetuan edhe popujt tjerë për të përfunduar në luftëra, spastrim etnik e deri në gjenocid në Bosnjë e Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore