Shqipëria

31 të arrestuar, 3 të pezulluar dhe 312 episode korrupsioni – SPAK zbulon skemën në doganën e Morinës


Prokuroria e Posaçme ka dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë kufitare të Morinës, duke urdhëruar arrestimin e 31 personave, ndërsa ka pezulluar tre të tjerë.

Mes tyre i arrestuar është edhe drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Të gjithë akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në bazë të hetimeve të SPAK-ut, të gjithë këta shtetas me detyrë punonjës policie favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, persona që trafikonin automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Sakaq, ata ndihmonin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre, për të kaluar kufirin në vendet e Bashkimit Evropian, sa u përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar.

Po ashtu, ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë masën “arrest me burg” për 17 persona, “arrest në shtëpi” për 14 dhe “pezullim nga detyra” për tre prej tyre.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatës.

Hetimi erdhi pas kallëzimit penal nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore