Lajme

16 kampistë të vdekur dhe të tjerë të zhdukur nga një rrëshqitje dheu në Malajzi


Të paktën 16 persona – përfshirë fëmijë – janë vrarë pasi një rrëshqitje dheu përfshiu një kamp pushimi në Selangor të Malajzisë.

Familjet po flinin në çadrat e tyre kur një rrëshqitje dheu ndodhi rreth orës 03:00 të së premtes së 16 dhjetorit në një fermë në qytezën Batang Kali.

Referuar autoriteteve të atjeshme, qindra shpëtues e kaluan të premten duke gërmuar nëpër baltë për të gjetur të mbijetuar.

Sakaq, rrëshqitja e dheut filloi në një shpat më shumë se 30 metra më të lartë se kampingu dhe u rrokullis nëpër një hektar tokë.

Nga fotot e shpërndara nga agjencitë e shpëtimit të Malajzisë dallohen ekuipazhe punonjësish me helmeta duke kaluar mbi pemët e shkulura dhe mbetjet e tjera të lëna nga rrëshqitja.

Autoritetet kanë shpëtuar më shumë se 60 njerëz, por 17 rezultojnë ende të zhdukur.

Mediat lokale kanë raportuar se të paktën një fëmijë, një djalë 5-vjeçar, ka ndërruar jetë.

Një kampiste ka treguar se ajo dhe nëna e saj kanë mbijetuar, por vëllai i saj kishte vdekur dhe një vëlla tjetër ishte dërguar në spital me plagë.

“Ne ndjemë se tendat po bëheshin të paqëndrueshme dhe dheu po binte rreth nesh”, ka treguar ajo.

“Unë dhe nëna ime arritëm të zvarritemi dhe të shpëtojmë veten”, ka shtuar ajo.

Një tjetër i mbijetuar ka treguar se dëgjoi një shpërthim përpara se toka të fillonte të lëvizte.

Kjo e kishte zgjuar atë dhe familjen e tij, të cilët u bllokuan për pak kohë në çadrat e tyre nga mbetjet para se të arrinin të dilnin.

“Ishte shumë errësirë për të parë qartë se çfarë po ndodhte”, ka thënë ai.

Është e paqartë se çfarë e shkaktoi rrëshqitjen e dheut, e cila ndodhi në një zonë kodrinore të pyllëzuar pranë rrugës në Batang Kali, afër rajonit të malësisë Genting dhe rreth 50 kilometra në veri të Kuala Lumpur.

Vendasit kanë treguar se kishte pasur disa reshje të dobëta shiu, por nuk kishte shira të dendur apo ndonjë tërmet përpara tij.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore