Shqipëria

140 pa 5…


140 deputetë do të përbëjnë parlamentin e ri shqiptar më 9 shtator.

Por, pas zgjedhjeve të 25 prillit jemi përballë 140 të tillëve pa pesë – Tom Doshi (PSD), Gramoz Ruçi (PS), Najada Çomo (PS), Mark Marku (PD), Lefter Koka (PS).

Arsyetimet e dorëheqjes së tyre nga mandati i deputetit lidhen me shkaqe dhe pozita tejet dalluese.

Tom Doshi

I pari ishte Tom Doshi, kryetari i Partisë Social Demokrate, që më datë 26 prill dha dorëheqjen e parevokueshme nga mandati i deputetit.

“Me vullnetin tim të lirë dhe të plotë, deklaroj se në datën 26 prill, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, shkruante Doshi në letër.

Gjithashtu, ai plotësonte në letër se heq dorë nga mandati i fituar pas zgjedhjeve të 25 prillit. Nga lista shumë-emërore e kandidatëve për deputet e PSD-së, gjithashtu.

Doshi ka qenë një ndër deputetët, të cilët Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e ka përmendur si “në listën e zezë” të amerikanëve. Thirrje ka bërë shpesh ambasadorja, të mos votohen njerëzit e inkriminuar, duke përmendur jo pak herë edhe vetë Doshin.

Kim i ka bërë gjithashtu një kërkesë direkte Partisë Socialiste, që të mos e fusë Doshin në qeveri në rast fitoreje.

Por, me këtë letër të dërguar, Doshi pothuaj i dha fund edhe jetës politike aktive.

Në Shkodër, PSD-ja fitoi dy mandate për deputet. Me dorëheqjen e Doshit, ato u kalojnë kandidatëve Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi.

Ish-kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Tom Doshi
Gramoz Ruçi

Gjatës fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, më 12 qershor, kryeparlamentari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, njoftoi dorëheqjen e tij nga skena politike.

“Kam zgjedhur sot se s’ka më mirë se 30 vjetori i partisë dhe fitorja e mandatit të tretë që të deklaroj këtu para jush se në 9 shtator që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS në qarkun e Fierit dhe se nuk do të jem në asnjë organ të zgjedhur të familjes sime që më ka dhënë kaq shumë në 30 vjet”, tha Ruçi në fjalën e tij.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Kuvendit të Shqipërisë përshëndeti edhe presidentin, Ilir Meta.

Ruçi tha së bashku me Metën, Pandeli Majkon dhe Ndre Legisin ishin ndër të parët që iu bashkuan PS-së në vitin 1991.

“Në periudhën 1991-2005 u identifikuam si forca politike e sistemit që lamë pas, u anatemuam gjatë gjithë kohës si vetë Partia e Punës. Të ishe socialist nuk ishte e modës”.

Albanian Post mësoi se ky mandat do i kalojë Mirela Pitushit. Kjo, pasi Pitushi ka siguruar më shumë vota se të tjerët jashtë listës së PS.

Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi
Najada Çomo

Pa nisur rrugëtimin e saj si deputete në Parlamentin e ri të mandatit të tretë qeverisës, doktoreshë Najada Çomo, e cila kryesonte dhe listën e mandateve të Partisë Socialiste në Shqipëri, në zgjedhjet e 25 prillit 2021, i ka dhënë fund.

Ka qenë kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka njoftuar për dorëheqjen e Najada Çomos nga posti i saj si deputete në Parlamentin e ri të mandatit të tretë.

“Jam prekur nga një komunikim me Dr. Najada Çomon, e cila më kërkoi të ishte më pranë ekipit të saj, duke dhënë kështu dorëheqjen nga mandati i saj si deputete në Parlamentin e Shqipërisë”.

Këtë ai e ka komunikuar gjatë një konference për shtyp, të mërkurën e 25 gushtit, përballë gjithë ministrave të mandatit të dytë qeverisës, ku ka bërë një bilanc mbi punën e Qeverisë në katër vjet, të cilin e ka cilësuar si një mandat pozitiv, në rrethana shumë të vështira.

Rama theksoi faktin se Çomo dëshiroi “që të ndihmonte në luftën kundër COVID-19, pasi nuk është zhdukur akoma”.

Sipas Kodit Zgjedhor me largimin e një deputeteje grua – në Kuvend e zë vendin një tjetër grua. Përkstësisht sipas radhës në listë me më shumë vota është Mimi Kodheli. Kjo e fundit në zgjedhjet e 25 prillit ka siguruar 5 mijë e 597 vota.

Dr. Najada Çomo
Mark Marku

Mark Marku është i fundit që dha dorëheqjen nga mandati i deputetit më 27 gusht. Marku ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit qё fitoi në zgjedhjet e 25 prillit.

Marku ishte dhe mesa duket do vijojё tё mbesё një nga zёrat mё kritikë brenda Partisё Demokratike.

Jo pak herё Marku e ka kritikuar dhe kryedemokratin Basha nё lidhje me strategjitë e përdorura.

“Dje, si është bërë e ditur edhe në publik, është lajmëruar mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila do të mbahet më datë 30 gusht. Me sa shihet nga axhenda e dërguar, nga kjo mbledhje do të dalin organet drejtuese të PD-së, që, sipas statutit, zgjidhen nga ky këshill. Përves kësaj, në axhendë nuk parashikohet asgjë tjetër. Është dëshpëruese të vëresh se ngado ta shqyrtosh çështjen, të gjitha aksionet politike të përcaktuara nga lidershipi i PD-së vazhdojnë rutinën e humbësit”, shkruhej në statusin e Markut.

Marku akuzoi Bashën se tre muaj pas maskaradës zgjedhore të 25 prillit, lidershipi i PD-së nuk po jep asnjë përgjigje për atë se çfarë do të ndodhë në Parlamentin e ardhshëm shqiptar dhe se cili do të jetë aksioni opozitar në Parlamentin e ri.

“Këto maskarada, në thelb, janë etapat e njëpasnjëshme të rënies së vazhdueshme të PD-së në një rutinë humbëse”, nënvizoi Marku në deklaratën e tij pas dorëheqjes.

Pritet që mandatin e Markut ta rekuperojë me shumë gjasa, Elda Hoti, e cila ndodhej e gjashta në listën e PD-së për Qarkun e Lezhës.

Lefter Koka

Lefter Koka ka hequr dorë nga mandati si deputet i Durrësit në radhët e Partisë Socialiste (PS), 10 ditë pa filluar sesioni i ri parlamentar.

Largimin e njoftoi vetë Koka, përmes një postimi në median sociale Facebook.

“2 dekada më parë, me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri i qytetarëve durrsakë. Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e pa diskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë”, shkruan ai.

Në vijim, ai thotë se nga sfidat, me të cilat u përball, është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.

“Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me radhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falënderoj sa duhet. Sot e ardhmja u përket atyre! Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë”.

Mandati i tij i kalon Ana Dhamos, e cila është e nënta në listën e PS-së në qarkun bregdetar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore