Lajme

11 shtatori, data për tërheqjen e trupave amerikanë nga Afganistani


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do t’i tërheqë trupat ushtarakë në Afganistan më 11 shtator.

“Pas një rishikimi rigoroz të politikës, presidenti Biden ka vendosur të tërheqë trupat e mbetura në Afganistan dhe më në fund t’i japë fund luftës së SHBA atje pas 20 vjetësh”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës.

Data e re e tërheqjes është 20-vjetori i sulmeve të al-Qaedas në SHBA, të cilat shkaktuan luftën në Afganistan.

Biden, i cili do të paraqesë planin e tij gjatë një fjalimi të mërkurën e 13 prillit, ka sinjalizuar se ka të ngjarë të humbasë afatin e 1 majit të negociuar nga administrata e Donald Trump-it.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë fajësuar talebanët për mosrespektimin e angazhimeve për të zvogëluar dhunën dhe kanë paralajmëruar rreth lidhjeve të vazhdueshme të talebanëve me al-Qaedan.

Në një deklaratë muajin e kaluar, talebanët kërcënuan se do të rifillojnë armiqësitë kundër trupave të huaja në Afganistan nëse ato nuk përmbushin afatin e 1 majit.

Por Biden do të vendosë  një datë afatshkurtër me tërheqjen, duke zhdukur potencialisht shqetësimet e talebanëve se ai do të zvarris procesin.

Zyrtari i lartë i administratës së Biden theksoi se tërheqja nuk do t’u nënshtrohet kushteve të mëtejshme.

“Presidenti ka gjykuar se një qasje e bazuar në kushte, e cila ka qenë qasja e dy dekadave të fundit, është një recetë për të qëndruar në Afganistan përgjithmonë”, tha zyrtari.

Tërheqja përfundimtare do të bazohej në garanci të caktuara të sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Reagimet

“Qasja e presidentit ishte bërë përmes konsultimit të ngushtë me udhëheqësit ushtarakë, me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, me partnerë dhe aleatë në të gjithë botën”, u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, priten të informojnë vendimin për aleatët e NATO-s të mërkurën në Bruksel.

Turqia njoftoi të martën se do të organizojë një takim afgan nga 24 prill deri më 4 maj për të filluar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe për të bërë një zgjidhje të mundshme politike.

Të hënën talebanët u tërhoqën nga një konferencë e 16 prillit që do të mbahej në Stamboll.

Situata në Afganistan

Tani janë rreth 2 mijë e 500 trupa amerikane në Afganistan, nga një kulm prej më shumë se 100 mijë në 2011-ën.

Rreth 2 mijë e 400 anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë gjatë konfliktit afgan dhe shumë mijëra të tjerë janë plagosur.

Presidenti i atëhershëm George Bush dërgoi forcat amerikane në Afganistan në 2001-in, për të rrëzuar udhëheqësit e saj talebanë vetëm disa javë pas sulmeve të 11 shtatorit.

Forcat amerikane gjurmuan dhe vranë udhëheqësin e al-Qaedas, Osama bin Laden në Pakistan.

Me një pushtim të udhëhequr nga SHBA-ja në Irak i urdhëruar nga Bush, ushtria amerikane filloi një periudhë që zgjaste me vite të tëra duke luftuar dy luftëra të mëdha njëkohësisht.

Trupat amerikane u larguan nga Iraku në vitin 2011 nën administratën e Obama-s.

Disa u vendosën më vonë nën presidentin Donald Trump, në përgjigje të kërcënimit të paraqitur nga luftëtarët e Shtetit Islamik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore