Lajme

100 ditë zhgënjim


Pamje nga konferenca e LDK-së për media.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media brenda të cilës është diskutuar rreth 100-ditëshit të Qeverisë Kurti.

Koordinatorja e departamentit për Politikë të Jashtme, Shqipe Mjekiqi, është shprehur se dialogu doli të ishte prioriteti numër një i Qeverisë Kurti, ani pse sipas saj, e njëjta parti ka mbajtur qëndrime kundërshtuese para se të vinte në pushtet.

Sipas Mjekiqit, Qeveria i është qasur dialogut pa ndonjë plan të theksuar.

“Dialogu është reduktuar në çështje teknike. Qeveria bëri përpjekje që të iu ikte obligimeve që burojnë nga marrëveshja e Washingtonit”.

“Gjatë 100 ditëve ishim dëshmitarë të deklarimeve të pamatura. Kishte edhe aprovim të marrëveshjeve ndërkombëtare që e diskriminojnë Kosovën”, ka thënë ajo.

Ndërsa Izet Sadiku nga departamenti për Shëndetësi  ka theksuar se “vetëm 2 për qind të qytetarëve janë vaksinuar nga tre muaj qeverisje të Qeverisë Kurti”.

“Përveç vaksinimit apo mungesës së vaksinimit realisht ka qenë edhe premtim që do të ketë rritje të kapaciteteve shëndetësore”.

“Ne të gjithë e dimë që mungesa e stafit ka qenë njëra nga sfidat kryesore. Largimi i stafit është një gabim shumë i madh dhe qeveria duhet me gjet mundësi me e kthy këtë staf”, tha ai.

Në konferencë mori pjesë edhe Shkëmb Manaj nga departamenti për rend, ligj dhe siguri.

Manaj është shprehur se Qeveria aktuale është kthyer nga ajo e ndryshimit në atë të zhgënjimit dhe nepotizmi po mbizotëron gjithandej.

“Një parti që fiton pushtetin absolut duhet të ketë kuadro profesionale për zbatimin e programin. Në këtë qeveri këto kuadro po dalim të jenë familjarë. Vetëm në vendin tonë ndodh që ministrja e drejtësisë të ushtroj këtë detyrë duke u përballur me një proces gjyqësor”.

“Gjatë 100 ditëshit të qeverisjes nuk është marrë asnjë masë konkrete për integrimin e veriut e as për fuqizimin e ushtrisë e policisë”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore