Bota

10 vite nga protesta paqësore, që u rikthye në luftë civile në Siri


Kanë kaluar 10 vite pas shpërthimit të protestave paqësore që shpërthyen në Siri, kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, në mars të vitit 2011, të cilat nxitën një kryengritje popullore që shpejt u kthye në një luftë civile të plotë.

Pavarësisht një dekade luftimesh, al-Assad përsëri mbetet në pushtet, falë mbështetjes ushtarake nga Irani dhe Rusia. Pothuajse gjysmë milioni njerëz u vranë gjatë trazirave.

Ashraf al Homsi, një refugjat sirian nga provinca Homs, tha për agjencinë e lajmeve Al Jazeera, se, në 2011-ën, protestuesit u detyruan nga qeveria të luftonin.

“Regjimi na detyroi të rrëmbenim armët dhe kryengritjen e shndërruam në një luftë. Nuk ishte më e mundur t’u përballeshim armëve me britmat tona”, tha ai.

Dekada e luftës nuk ishte parë ndonjëherë më parë në Siri, shpjegon Al Jazeera.

Miliona njerëz i ka kapluar varfëria, ndërsa shumica e familjeve vështirë se mund të sigurojnë vaktin e radhës.

Para luftës, popullsia e Sirisë ishte mbi 23 milionë banorë. Sot, më shumë se gjysma e asaj popullsie mbetet e zhvendosur, më shumë se 5 milionë janë kryesisht në vendet fqinje.

 

“Të detyruar të heqim dorë nga ëndrrat tona”

Deraa, vendlindja e kryengritjes së Sirisë në 2011-ën, ka qenë nën kontrollin e forcave të Asadit që nga viti 2018.

Zeina Khodr, gazetare e Al Jazeera, duke raportuar nga Lugina Bekaa në Liban, tha se shumica e refugjatëve sirianë që jetojnë në vend duan të rikthehen.

“Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), nëntë në 10 familje refugjatësh sirian në Liban janë të varfra dhe ata mbështeten në ndihmën nga OKB për të mbijetuar”, tha ajo.

“Megjithëse duan të shkojnë në shtëpi, ata nuk kanë shumë zgjedhje. Refugjatët kanë frikë të kthehen, sepse nuk kanë garanci sigurie, të vendosura nga qeveria siriane”, shtoi ajo.

“Në fakt, autoritetet e OKB-së dhe BE-së besojnë se kthimet masive nuk janë të favorshme në këtë pikë. Kjo, për shkak të mungesës së garancive të sigurisë për refugjatët”.

Refugjatët sirianë në Turqi

Gazetarja e Al Jazeera në Stamboll, Sinem Koseoglu i Al Jazeera, tha se 4.5 milionë refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi u sistemuan në qytetet e mëdha.

“Shumica e tyre nuk duan të kthehen, pasi vendosën jetën e tyre në këto qytete. Ata po punojnë dhe fëmijët e tyre ndjekin shkollat këtu”, tha ajo.

“Pas pesë viteve në Turqi, ligji i lejon refugjatët të aplikojnë për shtetësi turke”.

 

Sot, Siria është shkatërruar ekonomikisht dhe mbetet e ndarë.

Grupet e armatosura ende mbizotërojnë provincën veriperëndimore të Idlibit, me rebelët e mbështetur nga Turqia që kontrollojnë shtrirjet përgjatë kufirit turk.

Forcat kurdë-siriane të mbështetura nga SHBA-ja zotërojnë rreth një të katërtën e vendit në verilindje, ndërsa al-Asad kontrollon pjesën tjetër.

Ekonomia është rrënuar me një shpejtësi befasuese. Ajo u godit nga një goditje e dyfishtë e sanksioneve të reja, largpamëse të SHBA të imponuara vitin e kaluar. Gjithashtu negativisht ka ndikuar edhe shkrirja financiare në Liban, lidhja kryesore e Sirisë me botën e jashtme.

Zyrtarë të OKB thonë se më shumë se 80% e sirianëve jetojnë në varfëri dhe 60% janë në rrezik urie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore