Lajme

Zyrtare: BE-ja kushtëzon Serbinë me normalizimin e raporteve me Kosovën


Ilustrim

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian (BE) miratoi të hënën vendimin përfundimtar për ndryshimin e tekstit të kushteve nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë, i cili përveç mbulimit të kritereve formale për shtetin serb, adreson edhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese është vendosur kusht zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve nga viti i kaluar: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) – organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së – u pajtua javën e kaluar që zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi që u arrit vitin e kaluar të përfshihet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit dhe kusht specifik për rrugëtimin e mëtejshëm të Serbisë.

Në takimin e fundit në muajin dhjetor të vitit 2023, shtetet anëtare obliguan BE-në që ta inkorporojë zbatimin e obligimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, ku i kërkohet njohja de-facto e Kosovës, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, në fund të vitit 2023, përmendi fundin e janarit 2024 si afat optimal për formalizimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt dhe Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, duke kushtëzuar rrugën e Serbisë drejt BE-së nëpërmjet zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet anëtare e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave për Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e marrëveshjes – pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe kritereve të anëtarësimit të Serbisë”.

Kapitulli 35 për Serbinë u hap ndër të parët qysh në dhjetor të vitit 2015 për të përcjellë përparimin drejt normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd. Serbia i kishte hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në në janar të vitit 2014, ndërsa deri tani shteti serb i ka hapur 22 nga gjithsejtë 35 kapitujt e kornizës negociuese për anëtarësimin e ardhshëm në bllok.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore