Shqipëria

U përplas nga shoferi i dehur, ndërron jetë 24-vjeçarja – arrestohet drejtuesi i mjetit


Autoriteti Spitalor ka bërë me dije se ka ndërruar jetë 24-vjeçarja, e cila së bashku me tre persona të tjerë u përplas nga një makinë në aksin Përrenjas- Qafë Thanë.

Sipas informacioneve paraprake ajo ndodhej prej pesë ditësh në koma.

Nga ana tjetër Policia ka bërë me dije se shtetasi Jetmir Daci, shoferi i cili humbi kontrollin e makinës është arrestuar ditën e sotme.

44-vjeçari nga Dibra akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur më datë 08.04.2024, në aksin rrugor Përrenjas-Qafë Thanë, ku si pasojë mbetën të dëmtuar 4-shtetas, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë ndaluar me iniciativë shtetasin J. D., 44 vjeç, banues në Peshkopi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Personat e plagosur qëndronin në këmbë para servisit dhe po prisnin që makina e tyre të riparohej, teksa u përplasën nga 44-vjecari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore