Lajme

Sela, Mickoskit: S’ka 61, do ta ndalim hugjumin tuaj


Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i ka thënë partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, se nuk mund t’i merrni 61 deputetë për të formuar qeverinë të vetëm.

Këto komente, Sela i ka bërë në tubimin qendror të “Frontit Evropian” në sheshin “Maqedonia”, në Shkup, duke iu kundërpërgjigjur kështu partisë opozitare maqedonase, e cila kërkoi 61 deputetë për të formuar qeverinë e vetme, derisa bëri thirrje për bashkimin e kombit maqedonas.

“Besoj na dëgjojnë qartë edhe nga pallati i bardhë [selia e VMRO-DPMNE]: nuk ka 61. Nuk ka. Do ta ndalim hugjumin tuaj. Nga jeni nisur për t’i ndalë të drejtat e shqiptarëve. Për t’i ndalë të drejtat e pakicave tjera”, tha Sela para mijëra simpatizantëve të këtij koalicioni.

“E keni parë Hristjan Mickoskin se si i ka bërë planet. I ka bërë me Levicën [e majta ekstreme], e të tjerë. Planet e tij do që t’i bëjë edhe me ca kukulla që i ka gjetur te shqiptarët, që të ngjajnë me ato kukullat ruse”, shtoi.

Sela i bëri thirrje opozitës shqiptare, përkatësisht koalicionit “VLEN”, që të mos shkojë me VMRO-DPMNE-në, por ta dëgjojë zërin e shqiptarëve.

“Mosni vëllezër, dëgjoni mesazhin e këtij populli që është bërë bashkë. Dëgjoni mesazhin e ‘Frontit Evropian’”, potencoi.

Ndryshe, VMRO-DPMNE të gjithë fushatën zgjedhore e ka reduktuar në sulmet ndaj BDI-së, përkatësisht kryetarit Ali Ahmeti, por edhe kandidatit të “Frontit Evropian” për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Mickoski thirrje për “bashkim kombëtar maqedonas”: Të bashkohemi kundër Ali Ahmetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore