Lajme

Qilimat e Azerbajxhanit, një Kryevepër e Trashëgimisë së Paprekshme nga UNESCO


Thurja e qilimave është një nga artet dhe zanatet më të lashta të Azerbajxhanit.

Të dhënat arkeologjike të mbledhura në territorin e Azerbajxhanit, si edhe pjesët e letërsisë, dëshmojnë se arti i qilimtarisë së Azerbajxhanit e ka origjinën në antikitetin e largët.

Qilimat dhe sendet e lidhura me qilimtarinë e prodhuar në Azerbajxhan janë lavdëruar vazhdimisht në shumë libra historikë, letërsi klasike dhe folklor.

Një qilim azerbajxhanas përfshin të gjitha ngjyrat e natyrës azerbajxhanase – blunë e qiellit dhe gjelbërimin e pyjeve, hijet e thella në shpatet e maleve dhe bardhësinë e majave të mbuluara me borë.

Ngjyrat shkëlqyese magjike të qilimit kanë përvetësuar shkëlqimin e rubintë të kokrrave të shegës dhe dritën e artë të ftoit, ngjyrën prej bakri të shafranit dhe nuancat e jargavanta të rrushit. Një strukturë e pashtershme dizenjosh, fluturim i imagjinatës krijuese dhe aftësi e shkathtësi – këto janë karakteristika të një qilimi azerbajxhanas.

Sipas materialeve arkeologjike dhe dokumenteve të shkruara, thurja e qilimave në Azerbajxhan ishte përhapur që në epokën e bronzit.

Kjo u përmend në veprat e Herodotit, Klaud Elianit, Ksenofonit dhe historianëve të tjerë të lashtë. Nën Dinastinë e Sasanidit (shek. III-VII) arti i qilimtarisë në Azerbajxhan kaloi një fazë tjetër zhvillimi: u shfaqën qilima madhështorë nga fije mëndafshi, ari dhe argjendi.

Prodhimi i qilimave të thurura me fije ari dhe argjendi dhe të zbukuruara me xhevahire mori karakter tradicional në shekujt XVI-XVII. Qilimat e mëndafshtë të Azerbajxhanit u lavdëruan në eposin “Kitabi Dede Korkud”.

Në shekujt XIII-XIV, Azerbajxhani eksportoi një numër të madh qilimash dhe prodhimesh të lidhura me qilimtarinë në vendet e huaja.

Punimi i qilimave është një traditë familjare e transmetuar gojarisht dhe përmes praktikës, ku punimi i qilimave dhe sixhadeve është vetëm një profesion i grave.

Në të kaluarën, çdo vajzë e re duhej të mësonte artin e thurjes së qilimave dhe qilimat që ajo endte bëheshin pjesë e pajës së saj.

Tradicionalisht, burrat qethnin delet në pranverë dhe në vjeshtë, ndërsa gratë mblidhnin lëndë ngjyruese dhe tirrnin dhe lyenin fillin në pranverë, verë dhe vjeshtë.

Qilimat e Azerbajxhanit mund të klasifikohen sipas karakteristikave të tyre teknike, si me thekë dhe pa thekë.

Qilimat pa thekë janë të lidhur me periudhën e hershme të zhvillimit të artit të thurjes. Qilimat pa thekë klasifikohen sipas stilit të thurjes, strukturës së përbërë, pasurisë së zbukurimeve dhe ngjyrosjes. Ka 8 lloje bazë qilimash: “palas”, “dzhejim”, “lady”, “kilim”, “shedde”, “verni”, “zili”, “sumakh”.

Në Azerbajxhan ekzistojnë 7 shkolla kryesore të thurjes së qilimave, të cilat dallojnë nga dizenjot, përbërja, gama e ngjyrave dhe teknikat: shkollat “Quba”, “Baku”, “Shirvan”, “Ganja”, “Gazakh”, “Karabakh” dhe “Tabriz”.

Në Azerbajxhan, qilimat përdoren për të dekoruar shtëpinë dhe për të mbajtur një rëndësi kulturore si një traditë familjare e transmetuar gojarisht dhe duke praktikuar, dhe janë të lidhur me jetën e përditshme dhe zakonet e popullit azerbajxhanas.

Arti popullor i Azerbajxhanit, veçanërisht thurja e qilimave, ka qenë objekt i vëmendjes nga qeveria për të ruajtur, studiuar, promovuar dhe zhvilluar traditat e thurjes së qilimave të popullit azerbajxhanas.

Ligji “Për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Artit të Qilimave të Azerbajxhanit” u miratua në dhjetor 2004; agjencia përgjegjëse “Azerkhalcha” u themelua në maj 2016; Dita e Qilimtarëve filloi të festohej më 5 maj.

Një ndërtesë e re për Muzeun e Qilimave të Azerbajxhanit – në nivelin më bashkëkohor, e cila u projektua nga arkitekti austriak, Franc Janc, në formën e një qilimi të mbështjellë – u hap në vitin 2014.

Përveç kësaj, një program shtetëror “Mbrojtja dhe zhvillimi i artit të qilimave në Republikën e Azerbajxhanit 2018–2022”, u miratua me qëllim krijimin e furnizimit me lëndë të parë për këtë industri, përmirësimin e infrastrukturës për thurjen e qilimave, mbështetjen e krijimit të vendeve të reja të punës, kryerjen e trajnimeve të personelit të kualifikuar në fushën e qilimtarisë, përpunimit të leshit, fabrikimin e leshit dhe fijeve të mëndafshit dhe përpunimin e bimëve të përdorura për ngjyrosjen dhe prodhimin e ngjyrave.

Në nëntor 2010, Qilimi i Azerbajxhanit u shpall Kryevepër e Trashëgimisë së Paprekshme nga UNESCO.

Qilimat  e Azerbajxhanit janë mozaikë magjepsës me motive dhe ngjyra të lidhura me simbolikë historike, filozofike dhe natyrore.

Qilimat kanë qenë themelorë në kulturën e Azerbajxhanit për mijëvjeçarë dhe gjatë ditëve të Rrugës së Mëndafshit ata vlerësoheshin shumë për ngjyrat, motivet dhe cilësitë e tyre të gjalla dhe tregtoheshin kudo. Ata u përshkruan në vepra arti europiane dhe sot ata mund të gjenden në muzetë më prestigjiozë, koleksionet private dhe shtëpitë e ankandeve të botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore