Shqipëria

Lihet në detyrim paraqitje gjyshja që kishte rrëmbyer nipin 3-vjeçar


Është lënë vetëm në detyrim paraqitje, gjyshja e cila kishte rrëmbyer nipin e saj tre-vjeçar nga e ëma, për ta kthyer vetëm një javë pas shpalljes në kërkim.

Kështu ka vendosur Gjykata e Durrësit lidhur me rastin, ku seanca për Bahrie Gjunin u mbajt pa praninë e mediave.

Gjuni u arrestua më 20 prill, pasi dorëzoi në Prokurorinë e Durrësit nipin e saj, të cilin e kishte mbajtur pa leje për tetë ditë.

Para policisë ajo ka dëshmuar edhe se ku ka qëndruar me djalin ditët që ia mori nënës dhe u largua nga banesa e saj.

“E kemi  vendosur së bashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë. Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit”.

“Në Buzmadh kam fjetur një natë. Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë. Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme. Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë por edhe se një vëlla i imi u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje”, ka deklaruar gjyshja.

Nga ana tjetër, Gjykata e Durrësit ka lënë në burg më 19 prill Rexhep Gjunin, gjyshin e 3-vjeçarit që u zhduk shtatë ditë më parë në zonën e ish-kënetës.

Nëna e la 3-vjeçarin me gjyshërit për disa orë, por më pas ai është zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.

Gjykata sakaq ka dhënë masën “arrest me burg” për Arben Selaj, kunatin e gjyshit.

Gjyshja, e cila dorëzoi nipin, ishte shpallur po ashtu në kërkim nga Prokuroria lidhur me çështjen.

“U mbyll seanca për caktimin e masës së sigurimit. Në kushtet kur kemi të bëjmë me një të mitur nuk mund të thuhet asgjë për arsye se është sekret hetimor, tani do vazhdojë prokuroria hetimet. Masa e sigurimit, arrest me burg, nuk ka ndryshuar asgjë”, ka thënë avokatja pas përfundimit të seancës.

Sipas vendimit të gjykatës është caktuar masa e sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. Gjuni, atë të “Arresit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Po ashtu është bërë caktimi i masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim A. Selaj, atë të “Arresit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Ndërkaq, urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore