Shqipëria

Komisioni i Shëndetësisë, mazhoranca ka gati Planin e Hetimit


Pas katër herëve bojkot, mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësinë për zhvillimin e mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë, të martën e 23 prillit.

Mazhoranca ka hartuar tashmë një plan më të detajuar të cilin do ta prezantojë nesër në mbledhjen e koordinuar të komisionit.

Ndonëse opozita pretendonte për bojkot të komisionit, ekspertët e thirrur nga mazhoranca kanë punuar intensivisht për të pasur gati draftin që pritet të miratohet në mbledhjen e ditës së nesërme.

Dokumenti është një plan shumë i detajuar që përcakton qartë hapat parlamentarë që duhen ndjekur për hetimin e kontratave të partneritetit publik privat në sektorin e shëndetësisë. Struktura organizative e Planit Hetimor ka 7 hapa.

-Përcaktimi i Qëllimeve dhe Objektivave të Hetimit

-Përcaktimi i Kufijve dhe Juridiksionit të Hetimit

-Strukturimi i Ekipit Hetimor

-Planifikimi i Procesit të Mbledhjes së provave

-Seanca të Dëgjimit dhe Analizë

-Raportimi dhe Rekomandimet

-Ndërmarrja e Veprimeve të Mëtejshme

Drafti i ekspertëve të mazhorancës ka të përcaktuar edhe kalendarizimin e Planit Hetimor duke iu përmbajtur afatit 4 mujor të miratuar nga Kuvendi.

Po kështu janë parashikuar edhe vizita në terren për të parë zbatimin e kontratave, si dhe intervista të ndryshme me stafin dhe pacientët. Mazhoranca propozon edhe një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve, duke përfshirë afatet dhe përgjegjësit.

Zhbllokimi i punës në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi vjen pasi opozita kërkoi ndërhyrjen e Lindita Nikollës dhe pas një takimi që kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi pati me kryeparlamentaren.

Në këtë takim u informua se nuk ka një vendim politik të PS për të bojkotuar punën e komisioneve hetimore, por se palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët brenda komisionit.

Partia Socialiste refuzonte të merrte pjesë në Komision prej 4 mbledhjesh, me argumentin se kryetarja Albana Vokshi e kishte kthyer në një proces partiak hetimi dhe se merrte vendime për të thirrur mbledhjen, në mënyrë të njëanshme.

Komisioni Hetimor i Koncesioneve në Shëndetësi ka hartuar deri më tani vetëm listën e dëshmitarëve, ku do të thirret si dëshmitar kryeministri Edi Rama ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Albana Koçiu e të tjerë funksionarë apo ish funksionarë të lartë të ministrisë së shëndetësisë.

Ky komision po heton koncesionet e check-up dhe sterilizimit ndërsa është tërhequr nga hetimi i hemodializës dhe laboratorëve mjekësorë.

PS bojkotoi Komisionin e Shëndetësisë, Vokshi: Çdo ditë që kalon ngushton kohën e hetimit parlamentar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore